Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Kurti atje ka thënë se nuk e di kur do të hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
Ai thotë se Qeveria e Kosovës ka marrë masa për deskalimin e situatës në veri, ku dy herë nga 25% është zvogëluar paraqitja e policisë në ndërtesat e komunave në veri.
“Nuk e di se kur do të tërhiqen, besoj se duhet të hiqen sa më parë sepse Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide dhe të përkushtuar në dialog, që ka rezultuar me marrëveshjen bazike. Me 27 shkurt ne në Bruksel e kemi realizuar marrëveshjen bazike, që është njohje reciproke de facto. Në marrëveshjen e Ohrit ia bashkëngjitëm edhe një aneks implementimi me 12 pika, por është Beogradi që e ka shkelur këtë. Ne kemi thënë le ta zbatojmë në plotni dhe pa kushte”, ka theksuar ai në një intervistë për televizionin lokal të Tetovës, “TV Koha”.