Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur mbrëmë drejt Tiranës.
Ai, siç njofton zyra e tij, është nisur për kryeqytetin e Shqipërisë, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.
“Në margjina të samitit, Kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë s’do të flitet për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.
Rama ka deklaruar se hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, por siç tha ai, nuk është një samit i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme lidhur me çështjen e Banjskës, por janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE-së
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës do të blindojnë Tiranën për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet sot në kryeqytetin shqiptar.
Për sigurinë e këtij aktiviteti ku do të marrin pjesë liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian përfaqësues të lartë të BE-së si dhe lideëat e Ballkanit do të angazhohen 1604 forca policore si dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës.
Zëvendës drejtori i përgjithshëm të policisë së Shtetit Sokol Bizhga, njoftoi bllokimin e disa segmenteve rrugore ku përveç qarkullmit të mjeteve do të ndalohet edhe parkimi i tyre duke nisur nga ora 20 e datës 15 tetor deri në orën 20 të datës 16 tetor.