Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, nga Uashingtoni ka folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka treguar se kur mund të ketë një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë s’janë normale, megjithatë dëshiron normalizimin e tyre.
“…Ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve. Dhe, normalizimi i këtyre marrëdhënieve bëhet me dialog, i cili duhet ta ketë qëllimin e një marreveshje ligjërisht të obligueshme, të përqendruar tek njohja reciproke. Këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken, i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.”
Tutje, kryeministri Kurti ka fajësuar Beogradin për mosmbajtjen e takimit, ashtu siç po kërkon Brukseli, duke treguar më pas edhe se kur mund të ndodhë takimi i ardhshëm.
“…një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet më datën 19 korrik, mirëpor nuk u mbajt përshkak të Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyerje mbi një mujore. Dikur thoshin se duhet të presim se nuk i kanë mbajtur zgjedhjet, e tash ndonëse po bëhen gati 4 muaj prej që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyyeshme, që kanë të bëjnë me faktin që përkundër kërkesave të SHBA-së dhe BE-së, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga Presidenti despotik Putin nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit, tha se Blinken ka kërkuar që Kosova të jetë konstruktive, kreative dh e përkushtuar edhe në vazhdim. Por, Beogradi sipas Kurtit po punon kundër marrëdhënieve fqinjësore.
“Me këtë rast unë theksoj se Kosova ka qenë çdoherë me çdo zyrtarë të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që të vazhdojmë të jemi edhe më tej të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi edhe më tej të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktiv dhe Brukseli këtë e ka regjistruar. Në vend që të mbahet takimi në korrik, tash shpresohet që mbase do të mbahet në fund të gushtit”, përfundoi Kurti.