Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë në Shqipëri ku është takuar me krerët e shtetit atje.
Pas takimeve që ka zhvilluar Kurti ka dhënë një intervistë për mediat në Shqipëria.
Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve kishte theksuar dy gjëra kryesore, që sipas tij janë suksesi dhe progresi demokratike e ekonomik i Kosovës.
“Gjatë këtyre takimeve theksova dy gjëra kryesore. E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes tonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur. Në anën tjetër i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe ankesin e zbatimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi, dhe në hollësi me procesin e dialogut, por edhe me elementët përbërës të marrëveshjes që tani duhet të zbatohet”.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se krerët e shtetit shqiptar e kanë mbështetur për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur, ndërsa tha se Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe këtë e dëshmon si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale.
“Presidenti Begaj, Kryetarja Nikolla dhe Kryeministri Rama më kanë mbështetur për procesin e dialogu dhe marrëveshjen që kam arritur. Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe atë e dëshmon edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet tona bilaterale. Me kryeministrin Rama u dakorduam që mbledhja e ardhshme midis 2 qeverive do të jetë qershor. Por gjithashtu biseduam edhe për zbatimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshtruara dhe çfarë do të mund të bëjmë edhe marrëveshje të reja, edhe zbatime të reja”, ka thënë Kurti, raporton Tv Klan.
Duke folur për forumet ndërkombëtare, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë.
“Çdoherë kur diskutohet duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu të na ndihmojnë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë që Shqipëria ka edhe ulëse në OKB dhe është gjithandej pjesëmarrëse e anëtare. Njëkohësisht desha që t’i informoj në mënyrë që një situatë komplekse e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të jetë sa më e qartë për ta, në mënyrë që edhe mbrojtja që do t’i bëjnë Kosovës të jetë sa më e saktë dhe e dobishme”.