Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur të flasë për cilësinë e punimeve në rrugën magjistrale, Prishtinë-Mitrovicë.
Pas prerjes së shiritit, Kurti u pyet nga gazetarët se në një pjesë të segmentit të rrugës, trotuaret nuk janë të përfunduara dhe se “anësoret e rrugës janë valë-valë, të panivelizuara”.
“Ndoshta më së miri është me fol ministri e zëvendësministri se janë çështje teknike. Unë këtu erdha për inaugurim, nuk erdha për ta provuar. Herën e tret valët e asfaltit që po i aludoni ju. Po, prandaj, pas prerjes së shiritit ne ecim në rrugë, jo përpara se ashtu ka qenë në të kaluarën, në të kaluarën së pari zbatimi i cili nuk kryhej e në fund planifikimi. Tash është planifikim, prerja e shirit dhe tani e shohim a ka valë a s’ka valë”, u shpreh Kurti.
Ndërsa për kualitetin e kësaj rruge, foli zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ai tha se segmenti tjetër i rrugës pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
“Ne kemi këtu një kompani ndërkombëtare e cila e menaxhon krejt projektin, e mbikëqyr edhe kualitetin edhe mbarëvajtjen e të gjitha punimeve. Aty ka shumë inxhinier me eksperiencë të gjatë të cilat e kontrollojnë se secilin detaj të projektit. Në fund të gjitha pozicionet pranohen, për secilin pozicion që i plotëson kriteret dhe standardet për ndërtimin e rrugëve. Unë nuk e di konkretisht një skajore që nuk është i nivelizuar por asnjë pozicion që nuk është në përputhje me rregullat dhe standardet nuk pranohet. Janë çështje teknike që ka inxhinier të angazhuar për dallim që në të kaluar një menaxher e ka menaxhuar krejt kontratën”, tha Durmishi.