
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për herë të parë rreth vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik, shkruan Insajderi.
Ai e cilësoi si të pavend interpretimin e opozitës, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për pezullim të planifikimit, e jo të vetë procesit.
“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj vendimet e fundit. I siguroj qytetarët qe qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”, u shpreh ai.
Kurti u shpreh se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë prishur, por ekzistojnë dallime në disa çështje operative e taktike, kryesisht sa i përket qasjes ndaj Serbisë dhe strukturave ilegale në Kosovë.
“Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me SHBA-në të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëndrime, nganjëherë jo për çështje operacionale dhe taktike”.
Ai shtoi se opozita po e paraqet këtë vendim në dritë negative, ndërsa siguroi qytetarët se qeveria e tij i trajton seriozisht qëndrimet e ambasadës amerikane.
Kryeministri potencoi se partneriteti me SHBA-në është i ndërtuar mbi tri shtylla – diplomacinë, mbrojtjen dhe zhvillimin – dhe se përkundër dallimeve në diplomaci, ka pasur përparim të dukshëm në dy shtyllat tjera.