
Zyra e Kryeministrit në detyrë ka reaguar lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
Në deklaratë thuhet se Kosova u bën thirrje të gjitha palëve që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi për të shmangur pasoja të rënda rajonale dhe globale.
Po ashtu, është shprehur shqetësim për intensifikimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare, siç ka theksuar edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike.
Kosova nënvizon se diplomacia është mjeti i vetëm për adresimin e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.
Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në rajon ose kanë kontakte atje të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve përkatëse.
Në fund, Kosova rithekson përkushtimin e saj ndaj paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me qytetarët e prekur.