Kurti publikisht 'favorizon' kompaninë që po kryen renovime në QKUK - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti publikisht ‘favorizon’ kompaninë që po kryen renovime në QKUK

    Insajderi
    20 May 2024 - 17:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë përuruan sot renovimet në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

    Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për “Ego Elsa”, një kompani që është angazhuar edhe më herët në renovimin e klinikave të QKUK-së.

    Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se “ajo çfarë ju ka bërë përshtypje të gjithëve është që nga jashtë njihet Klinika e Onkologjisë ndonëse operatori ekonomik e ka gëlqerosur edhe përjashtë, ndonëse kjo nuk ka qenë në kontratë”.

    Ndërkaq, ai tha se nga brenda klinika ka ndryshuar aq shumë sa nuk do ta kishte njohur.

    “Brenda ajo që e bën dallim kryesor dhe unë po të mos kisha hy në këtë derë nuk e kisha ditur se në cilën klinikë jam, është fakti se është thyer tavani dhe është ngritur për 30 centimetra e jo vetëm kaq, por ka pastrim të ajrit me filtrim e klimatizim”, tha Kurti.

    Kryeministri e falënderoi kompaninë që tha se i ka kryer punët një muaj e gjysmë para kohe.

    “Krejt në fund operatori ekonomik “Ego Elsa” e ka pasur kontratën për përfundimin e punimeve në javën e parë të korrikut, e ka përfunduar një muaj e gjysmë më herët, për çfarë i falënderojmë publikisht”, tha ai.

    Kurti përmendi se në këtë klinikë janë investuar 600 mijë euro, të cilat tha se e kanë “transformuar në mënyrë fort domethënëse këtë klinikë kaq të nevojshme dhe të dobishme”.

    “I kanë pasur 45 shtretër, tash i kanë bërë 60 shtretër dhe së shpejti do të jenë 110 shtretër. Përveç kësaj me akseleratorin e ri të cilin e kemi instaluar, lista e pritjes është zero, pra nuk ka pritje, dhe ky akselerator pati kushtuar 1 milion e 444 mijë euro”, tha ai.

    Kompania “Ego Elsa” është angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë edhe gjatë viteve të kaluara në QKUK.

    Në verë, kjo kompani ka bërë adaptimin e hapësirës për angiograf për Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Në dhjetor të vitit 2022 e ka bërë innstalimin e sistemit te gazrave mjeksore në QKUK. Më herët, kjo kompani është angazhuar edhe në lëshimin në funksion të sistemit qendror të furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e Klinikës Infektive.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    23 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark