×
  • Lajme
  • Analiza

    Kurti që iu jepte kurajo sindikalistëve në Norvegji, zhytet në konflikt me sindikalistët e Kosovës

    Insajderi
    24 August 2022 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, në mars të këtij viti kishte shkruar për vizitë zyrtare në Oslo të Norvegjisë.

    Atje kishte takuar përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave Norvegjeze dhe Federatës Norvegjeze të Punëdhënësve.

    Këtyre dy grupeve u fliste për atë se si “ekonomia duhet të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve”. Madje kishte theksuar se “mirëqenia sociale është ndër prioritetet qendrore” të qeverisjes së tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tash, pak muaj më pas Kurtit i kanë dalë probleme me sindikalistët e vendit, pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar për shpalljen e grevës së përgjithshme nga 25 gushti.

    Sipas kryetarit, Atdhe Hykolli, greva do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat e tyre, siç është edhe ajo e 100 eurove shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.

    Këtë kërkesë në mbledhjen e BSPK-së e ka shprehur edhe Rrahman Jasharaj, i Sindikatës së Arsimit, i cili ka ftuar institucionet e vendit që të jenë të hapura në arritjen e një marrëveshjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo grevë është kundërshtuar nga ministria e Arsimit. Ministrja Arbërie Nagavci, i ka quajtur të paarsyeshme, dhe “kërcënesue”.

    “Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”, ka shkruar ministrja në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Por, Jasharaj ka thënë se fillimi i grevës prej 25 gushtit nuk është kërcënim. Ai thotë se ka Ligj për grevat, dhe shton se ato janë domosdoshme kur Qeveri e refuzon dialogun.

    “Kërkuam me muaj takime, u organizuan edhe veprime sindikale me protesta e grevë njëorëshe për ta nxitur Qeverinë për dialog e marrëveshje dhe ajo nuk bëri as edhe një milimetër angazhim dhe pikërisht një ditë a dy para se BSPK-ja të shpallte grevën e përgjithshme Ministri Sveçla doli me deklaratën se e paska nisur për proceduara Ligjin e ardhshëm të pagave. Kemi të drejtë të dyshojmë se kjo u bë për t’u krijuar mjegull dhe hamendje të njerëzit”, thuhet në komunikatën për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vitin e kaluar, Kurti uronte të ndërrohen drejtuesit e sindikatave në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhjetorin e vitit që shkoi thoshte se “është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë”.

    “Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.

    Ai shtonte se i kupton grevat, por sipas tij, “mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre”.

    “Duhet të kemi greva të ligjshme sepse Qeveria e Kosovës po bën gjithçka që të ju dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë”, pati thënë Kurti, pasi më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor të vitit të kaluar stafi shëndetësor pati mbajtur grevë 8-orëshe.

    Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga, derisa në krye të tyre ishte tash ish-kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

    Dhe, duket se dëshira e Kurtit për ta hequr kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë u realizua në prill të këtij viti, kur u zgjedh udhëheqësia e re e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kundër së cilës kishte dalë ish-drejtuesi Blerim Syla, që sipas tij “zgjedhja ka qenë jolegjitime”.

    “Unë kam bë kallëzim penal, rasti është në Prokurori, unë shpresoj shumë në Prokurori – që të marrin vendim për masë të përkohshme”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi, që sipas tij “kryesia aktuale përbëhet nga njerëz që janë absolutisht joprofesionalë”.

    Si për dëshirë të Kurtit, Sindikata e Mjekëve del kundër grevës së përgjithshme

    Kundër grevës së përgjithshme të BSPK-së, ka dalë Sindikata e Mjekëve të Kosovës. Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar vetë drejtuesja Tevide Imeri, e cila ka treguar edhe arsyet e mospjesëmarrjes.

    “Në takimin që e kemi mbajtut në kuadër të BSPK-së, aty ku jemi prezent 9 ose 11 sindikata gjithsej, 3 kanë qenë pro grevës, na tjerat kundër – për arsye se kërkesa e SBASHK-ut, ka qenë për 100 euro deri në implementim e Ligjit për Pagat”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.

    Ajo ka treguar se punëtorët shëndetësorë i marrin 60 euro shtesë, dhe sipas saj për 40 euro të tjera në mënyrë që të bëhen 100, kanë refuzuar të futen në grevë.

    “Plus Ligji për Pagat pretendohet se në shtator do të vjen në parlament, siç e patë që erdhi në Qeveri, dhe të shohim pastaj”, ka thënë tutje Imeri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryetarja e Sindikatës, ka zbuluar që pasi ta shohin saktësisht çfarë do të përfshijë Ligji i Pagave, dhe nëse do të jenë të pakënaqur, atë herë do të protestojnë në formën e tyre.  

    “Në qoftëse me të vërtetë jemi të pakënaqur sigurisht që ne grevën e kemi të vetmen armë që luftojmë për të drejtën e punëtorëve”, tha ajo për Gazetën Insajderi, duke ritheksuar se “për momentin s’e kemi pa të arsyeshme të jemi në grevë”.

    Heshtja e Sindikatës së Mjekëve kritikohet nga ish-udhëheqja e zëshme

    Blerim Syla, ish-kryetari i Federatës së Mjekëve të Kosovës, e ka kritikuar udhëheqjen e tanishme të Sindikatës.

    “Këta siç duket e kanë fut kokën në zall, dhe nuk dojnë më lëvizë. Është për të ardhur keq, se me të vërtetë Federata e ka pas një za shumë të rëndësishëm, por ja që sot në krizën kur po ikin mjekët, kur spitalet po shkatërrohen – se kemi asnjë zë, normalisht që kjo i konvenon secilës qeveri, e sidomos kësaj qeverie”, ka thënë Syla për Gazetën Insajderi.  

    Ai ka thënë se ka mjaftuar vetëm një takimi që udhëheqësja e re, Tevide Imeri, e pati me kryeministrin Albin Kurti, që ajo te heshti para kërkesave të mjekëve.

    “Vetëm një takim me z. Kurti, dhe më asnjë deklaratë – apo iniciativë sa i përket Ligjit për Pagat i cili Ligj nuk ka ndryshuar asgjë, sidomos sa i përket infermierëve. Kjo po tregon, që politika ka qenë e interesuar që ta shkatërrojë Sindikatën e Shëndetësisë, që në vlugun e reagimit sindikal të BSPK-së ata heshtin, dhe nuk kemi asnjë veprim”, ka thënë tutje Syla për Gazetën Insajderi, duke zbuluar se “as kontrata kolektive nuk është duke u zbatuar, pra po shkelen të drejtat e punëtorëve, dhe asnjë deklaratë nuk e kemi nga sindikata”.

    Derisa udhëheqësja e Sindikatës, ka thënë se në takimin që e ka pasur me kryeministrin e Kosovës, i ka renditur të gjitha problemet që ajo i përfaqëson, por sipas saj “gjërat nuk mund të zgjidhen me magji, brenda 24 orësh”.

    “Nuk kam qejf me u merr me deklaratat e ish-udhëheqjes, unë i kam kolegë janë qëndrime të tyre personale, ose të grupit të vet. Është mendim i tyre, unë mendoj që jemi tu punu maksimalisht në këtë drejtim”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.

    Procedohen për konsultime Ligji i Pagave dhe ai për zyrtarët publikë

    Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, më 17 gusht ka njoftuar se janë proceduar në konsultime paraprake projektligji për pagat në sektorin publik dhe projektligji për zyrtarët publikë.

    Sveçla ka sqaruar se projektligji për pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

    “Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndërsa për projektligjin për zyrtarët publikë, Sveçla ka thënë se ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Kosovës.

    “Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe”, ka shkruar ai.

    Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar në Kuvend, Projektligjin i cili ishte miratuar.

    Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë.

    Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro.

    Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

    Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

    Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

    Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

    Ndërsa ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por me 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

    Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë.

    Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil (në tekstin në vijim: nëpunësi civil), nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark