Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve parlamentare ka deklaruar se po bëjnë gati Prizrenin për UNESCO.
Përmes një postimi në mbrëmjen e së shtunës, kryeministri Kurti ka njoftuar për një vizitë të tij bashkë me ministrin e Kuturës, Hajrulla Çeku, në tri shtëpi tradicionale të restauruara së fundmi, shkruan Insajderi.
Shefi i Qeverisë ka promovuar buxhetin e trashëgimisë kulturore, duke thënë se është katër herë më i lartë sesa në mandatet e kaluara.
“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore.
Me punën që po bëjmë sot, Qendrën Historike të Prizrenit po e bëjmë gati për ta nominuar në Listën Botërore të UNESCO-s”, deklaroi Kurti.
“Qeveria jonë ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale. Pothuaj nuk ka komunë ku nuk kemi restauruar këto më shumë se tre vjet e gjysmë të drejtimit tonë. E puna vazhdon, në dhjetëra monumente, gjithandej vendit. Duke i ruajtur dëshmitë e së kaluarës, ne fuqizojmë identitetin kulturor dhe potencialin ekonomik të vendbanimeve tona”, përfundon postimi i tij.