Kurti: Sasia e madhe e armatimit të gjetur në Zveçan tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti: Sasia e madhe e armatimit të gjetur në Zveçan tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara

    Insajderi
    24 June 2023 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas aksionit të Policisë, ditën e premtë ne Zveçan ku ka konfiskuar armatim e municion.

    Kurti tha se sasia e madhe e armatimit tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

    “Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Tutje, ai tha se Serbia është qartazi e pozicionuar për përshkallëzim të situatës.

    Ndërkaq tha se Serbia përveç aksionit për kidnapimin e policëve, luftimin e rendit juridik e kushtetues të Kosovës e ka çuar një hap para me organizimin e sulmeve terroriste.

    “Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.”, tha ai.

    Shefi i ekzekutivit u shpreh falënderues ndaj Policisë së Kosovës dhe Agjencise së Kosovës për Intelegjencë për parandalimin e krimit dhe terrorizmit në Zveçan.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark