×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Serbia është zëri i Rusisë, Kosova është sukses i NATO-s

    Insajderi
    04 October 2024 - 09:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin polak ka theksuar se lidhjet e Beogradit me Moskën janë një ndër arsyet kryesore të marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe po pengojnë përpjekjet e Kosovës për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

    Kurti ka vënë në dukje se Kosova është njohur nga 117 vende, megjithatë pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – ende nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

    Me katër nga këto vende (përveç Qipros) që janë gjithashtu pjesë e NATO-s, anëtarësimi i Kosovës në të dyja këto organizata po pengohet, tha Kurti në TVP World.

    Ai shtoi se beson se Kosova, ashtu si Polonia, do të anëtarësohet në NATO para Bashkimit Evropian, duke synuar që Kosova të anëtarësohet në të dyja këto organizata, “jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar”.

    Kurti theksoi se ato shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin zyrtarisht Kosovën i përdorin si justifikim çështjet e pazgjidhura me Serbinë. Në këtë kontekst, ai përmendi se ka një marrëveshje me Serbinë vitin e kaluar, e cila kishte për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

    “Problemi është se Serbia vazhdimisht e ka shkelur këtë marrëveshje dhe jemi shumë larg zbatimit të saj”, shtoi i pari i ekzekutivit kosovar.

    Kurti argumentoi se një pengesë në marrëdhëniet me Serbinë është fakti që “ata refuzojnë të emancipohen nga Putini”.

    “Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve kundër Federatës Ruse”, tha Kurti. Ai shtoi se lidhjet e Beogradit me Moskën nënvizojnë “tensionin e vazhdueshëm mes Kosovës dhe Serbisë,” duke akuzuar Serbinë për sjellje agresive ndaj Kosovës “që të pëlqehet nga Federata Ruse”.

    Kryeministri i Kosovës shprehu shpresën që gjatë mandatit aktual të Komisionit Evropian, Serbia do të detyrohet të zgjedhë mes një “Federate Ruse despotike të presidentit Putin” dhe “demokracisë, pluralizmit politik, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”.

    Duke komentuar mbi luftën në Ukrainë, Kurti tha: “Gjenerata jonë po jeton në kohën e fashizmit rus. Dhe ne duhet ta luftojmë atë me demokraci, me sovranitet. Ne duhet të luftojmë me solidaritetin e të gjitha kombeve dhe shteteve evropiane”.

    Kryeministri Kurti, ka deklaruar se Serbia është zëri i Rusisë, ndërsa Kosova është sukses i NATO-s.

    Shefi i ekzekutivit kosovar, në një intervistë për mediumin polak Polsat, ka folur për kërcënimet ndaj Kosovës.

    “Serbia është, si të thuash, zëri i Rusisë,” tha ai.

    Kurti shtoi gjithashtu se Kosova është një sukses i NATO-s, në të cilin Polonia ka luajtur një rol të rëndësishëm. “Ne jemi kampionë në Ballkan,” ka deklaruar ai./rtk

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark