Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një përmbledhje të mbledhjes së sotme të Qeverisë, e cila ishte e 223-ta. Ai njoftoi se numri i projektligjeve të miratuara tani ka arritur në 303.
Kurti theksoi se është miratuar Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Me zbatimin e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian, Kosova mund të përfitojë deri në 882,6 milionë euro,” u shpreh ai.
Në këtë mbledhje, Qeveria dërgoi në Kuvend disa ligje, përfshirë ato për Shërbimet e Pagesave, Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, ligjin për Lëndët Plasëse dhe për Kundër Dukurive Negative në Sport.
Përveç kësaj, Kurti përmendi vendime të rëndësishme për sportin dhe kulturën.