Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka vendosur se a do të shkojë në Bruksel, në një takim të thirrur nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Borrell, një ditë më parë ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës. Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëherë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur kërkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.
“Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”, shtoi kryeministri.
Komentet, Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.