Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë për zhvillimet në veri, por shtoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë në nivel të detyrës për respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
Para deputetëve në seancën e sotme, Kurti tha se s’mund t’i trajtojnë ambasadorët e QUINT-it si ministra dhe ata të bëhen zëvendësit e tyre.
“Vazhdimisht jemi në konsultë dhe bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet të kuptoni se edhe ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata s’bëhen ministra. Ministrat janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në qeverinë tonë. Qeveritë shkojnë e vijnë, por shteti mbetet. Ai është caku ynë dhe kuptimi ynë. Andaj bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të bëhet në mënyrën që ne i trajtojmë ata si ministra dhe ne bëhemi zëvendës të tyre”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se Serbisë do t’i dështojnë planet në Kosovë.
“Dikush e instrumentalizon dallimin sepse e dëshiron territorin tonë. Kur e panë që nuk po kanë sukses në ndarjet shqiptarë dhe serbë, thanë ‘serbët në veri janë ndryshe prej këtyre në jug’. Kjo nuk është e vërtetë, po dëshirojnë se serbët në jug, sikur puna e ministrit Rashiq, t’i shpallin tradhtar. Ky është plani B i tyre, por qysh ka dështuar plani A, do të dështojë edhe plani B. Beteja kryesore sot është betejë për mbështetjen e mekanizmave tonë shtetërorë dhe për fuqizimin e shpjegimit të vërtetë për situatën në teren”, deklaroi Kurti.
Ai nënvizoi se Policia e Kosovës asnjëherë nuk është e nxitur dhe e orientuar kundër serbëve.
“Policia e Kosovës kurrë nuk është e drejtuar e nxitur dhe orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë. Pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që mund të bëhen nga fqinji ynë verior. Mirëpo, në të njëjtën kohë ne kemi obligime dhe përgjegjësi nga Kushtetuta dhe ligji. Kur japin dorëheqje kryetarët e katër komunave në veri ka pastaj obligime kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.
Në anën tjetër, kërkoi mbështetjen e opozitës për zhvillimet në veri.
“Unë plotësisht e njoh, mirënjohës dhe respektoj të drejtën për kritikë ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Por duhet të kuptoni se shumëçka për mos të dhënë gjithçka që po ndodh është çështje e shtetit të Kosovës. Ne përpiqemi me atë çka mundemi dhe dimë të jemi më së shumti në shërbim të kësaj. Të jemi në nivelin tonë të detyrës si zyrtarë shtetërorë. Për këtë është mirë të kemi ndihmën e juaj edhe me mbështetje publike dhe ide konkrete, pasi qëllimin e kemi të përbashkët. Jemi në shërbim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, tha ai.