Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka reaguar pas tensioneve në Veri të Mitrovicës, por, theksin e ka vënë tek mediat dhe jo tek situata alarmante, shkruan Insajderi.
Qeveria Kurti njihet si qeveri antimediave kjo pasi jo rrallë ata kanë “sulmuar” mediat me deklaratat e tyre.
Sipas reagimit të Kurtit në Kosovë ka media që i shërbejnë me vetëdije Beogradit, dhe i njëjti porosit qytetarët që të përcjellin me vëmendje vetëm njoftimet nga qeveria e udhëhequr nga ai, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia.
“Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre”.
“Beteja” e Qeverisë Kurti ndaj mediave të Kosovës u mbështet javë më parë edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, shkruan Insajderi.
Sikurse Kurti sot, edhe deputetja dha një sugjerim në Kuvendin e Kosovës 2 javë më parë.
Ajo propozoi që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave, pasi e njëjta bëri thirrje për rregullim qeveritar të mediave, veçanërisht portaleve online.
“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, deklaroi Pacolli në Kuvend
Pacolli siç konfirmohet nga vetë deklarata e saj kishte interes të dijë më shumë rreth mediave, çfarë po ndodh me to, kë kanë pronar e shumë dilema të tjera.
“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, deklaroi Pacolli.
“Mobilizimi” kundër mediave nga Qeveria Kurti gjeti përkrahjen edhe nga bashkëpartiakja e Kurtit e Pacollit, Arbëreshë Kryeziu, shkruan Insajderi.
Ajo i kishte dalë në mbrojtje Pacollit, kur në Komisionin për Integrime Europiane, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu kërkoi nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që të distancohet nga deklaratat e deputetes.
“Po du me ta citu veç një paragraf të Rezolutës së Parlamentit Europian që është miratuar më 6 korrik 2022”, tha fillimisht Kryeziu.
“Zonja Deliu, unë nuk të kam dëgjuar ty në vitin 2019 apo 2020 kur raportuesit e BE-së kanë cituar…. që ish krerët e partisë tënde dhe eksponentë të lartë që kanë ushtru ndikim dhe kanë shantazhu mediat. Ti nuk ke qenë kaq e zëshme në atë kohë”, tha ajo.