Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim deputeten britanike dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Kurti e falënderoi Kearns për vizitën dhe u shpreh mirënjohës për mbështetjen e saj të madhe për Kosovën.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se “në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve”.
“U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Gjithashtu, në takim thuhet se “u bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”.