Kurti në fjalën e tij ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se ka dalë ashtu siç ishte parashikuar për aspektin e emigrimit.
“Liberalizimi i vizave njëmend ua lejon qytetarëve që të jenë afër vendeve perëndimore dhe të kalojnë kohë në shtete ku kanë familje, miq, apo mundësi shkëmbimi profesional, por padyshim pa u zhvendosur përfundimisht. Dhe pikërisht ashtu siç e patëm paraparë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë deklaratë të tij, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka shkruar se mijëra njerëz kanë braktisur Kosovën veç në 4 vitet e fundit.
“211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës. Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”, ka thënë Haradinaj.