×
Analiza

“Kurti vendosi ‘qerren para kalit’, mosnënshkrimi i marrëveshjes ka të bëjë me nisjen e themelimit te Asociacionit para nënshkrimit ”, thotë sociologu Ramadani

Insajderi
27 March 2023 - 10:19
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Top krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, në vazhdimësi kanë synuar ta paraqesin si tejet të favorshme për vendin Propozim-Planin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, plan ky i cili u konkretizua në Marrëveshje Bazë plus shtojcën e zbatimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është krekosur disa herë me “qëndrimin konstruktiv” të tij ndaj marrëveshjes duke thënë në një numër rastesh se “është Serbia ajo që po ik nga nënshkrimi”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, madje investonte tërë pritshmëritë e tij se “jo, nuk mendoj se Serbia e nënshkruan këtë marrëveshje” derisa thoshte se në matjet kundërpeshuese të saj, Serbia do ta refuzojë atë kur të vendoset para marrë-dhë-nies së atij dokumenti.

Megjithatë, e tëra përfundoi pa firmë mbi dokument, por me pajtim verbal po aq të vlefshëm. PR-i i Vetëvendosjes, megjithëkëtë, provoi ta shesë atë si “aq të favorshme” duke përdorur madje edhe karakitura të mediave raportimet e të cilave iu bien për shtati.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes përdori një karikaturë të Kohës Ditore për të shënuar krahasimin e mosnënshkrimit të Serbisë në këtë marrëveshje me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin në vitin 2015 me ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Ky “kontrast”, supozonte (ose donte të supozonte) ai, do të shënonte dallimin rrënjësor të marrëveshjes që ishte arritur në Bruksel dhe Ohër.

Kësisoji në publik u provua të ndjellej ideja se “ja, këtë marrëveshje nuk e nënshkruan Serbia” dhe rrjedhimisht triumfi.

Për sociologun Shkodran Ramadani, “kjo qasje tregojnë vetëm mjerimin politik” të Lëvizjes së kthyer në Parti, Vetëvendosjes, “që ka kaluar në një shpërfytyrim brutal”.

“E para dhe më e rëndësishmja, duhet të bëhet e qartë që mosnënshkrimi i marrëveshjes nuk nënkupton që marrëveshja është më pak e vlefshme. Këtë e sanksionojnë edhe konventat ndërkombëtare, në veçanti ajo e Vienës”.

“Neni 11 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e bën të qartë këtë: ‘Pëlqimi i një shteti për t’u lidhur përmes një traktati mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikim, pranim, miratim ose aderim, ose nga çdo mjet tjetër nëse është rënë dakord’”, thotë Shkodran Ramadani për Insajderin.

Së dyti Ramadani rikujton qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian se edhe pa u vendosur firma mbi dokument, marrëveshja ka statusit e një marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për palët.

“E treta, është e qartë që Serbia e ka pranuar marrëveshjen e djeshme. Nuk ka përsëritje të skenarit të Rambujesë dhe Vjenës. Kësaj here palët janë pajtuar. Ka vazhdimësi të procesit të dialogut të Brukselit, por në formë verbale. Kosova e Serbia nuk kanë nënshkruar as marrëveshjet për targa dhe për letërnjoftime para disa muajve, por marrëveshjet janë arritur”, vazhdon sociologu Ramadani.

Më tej Ramadani rikutjon se Serbia nuk e ka refuzuar nënshkrimit e marrëveshjes por se ka formati i marrëveshjes ka qenë kësisoji nga vetë propozimi i BE-së.

“Nuk është se Serbia e ka refuzuar nënshkrimin. Kjo do të vlente nëse BE-ja do ta paraqiste për nënshkrim. BE-ja nuk e ka paraqitur për nënshkrim dhe të trija palët janë pajtuar që dokumenti të mos nënshkruhet”.

“Nëse Albin Kurti beson që nënshkrimi është i domosdoshëm, pse nuk e vendosi as ajo nënshkrimin e tij? Pse Kosova pranoi marrëveshje që nuk kërkon nënshkrim?”, na thotë më tej ai.

Madje, sipas Ramadanit, marrëveshje e një forme të tillë pa nënshkrim shkon në favor të Serbisë, teksa rikujton frazat e Kurtit se nuk e vendos “qerren pa kalit” kanë rënë nga vetë pranimi i themelimit të Asociacionit para marrëveshjes dhe para njohjes së ndërsjellë, siç e nënkuptonte Kryeministri.

“Arritja e marrëveshjeve në këtë formë është qartazi në favor të Serbisë. Arsyeja pse nuk e ka nënshkruar lidhet më shumë me kronologjinë e zbatimit. Ka kohë që Serbia kërkon që Kosova një herë të nisë themelimin e Zajednicës, e pastaj të nënshkruhet ndonjë marrëveshje. Në ndërkohë, në Ohër Kosova është pajtuar që ta bëjë këtë gjë. Është pajtuar ta vendosë ‘qerren para kalit’, edhe pse Kurti këmbëngulte që kjo nuk mund të bëhet”.

Ramadani identifikon edhe një arsye se pse një marrëveshje “pa nënshkrim” shkon në favor të Beogradit. Kjo ngase, sipa stij, Serbia “amortizon” dëmet politike që mund të bien mbi të.

“Është edhe një arsye pse arritja e marrëveshjes në këtë formë është në favor të Serbisë. Kjo lidhet me atë që tha Edward Joseph në shkrimin e tij në Foreign Policy: që formalitete kanë rëndësi. Mos-nënshkrimi dhe mos-ratifikimi nga Serbia e amortizon çfarëdo lloj dëmi politik, sado i vogël të jetë, për Serbinë. Pesë shtete të BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – refuzojnë me kokëfortësi të njohin Kosovën. Fatkeqësisht, nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do t’i shtyjë mosnjohësit të ndryshojnë qëndrimin e tyre”.

“Këtu kanë rëndësi formalitetet. Nënshkrimi i Serbisë dhe ratifikimi i marrëveshjes do t’ua lehtësonte palëve që të njohin Kosovën, por fatkeqësisht deri më tash shenjat për njohje nga këto shtete kanë qenë të pakta. Nëse 5 shtetet nuk na njohin as pas kësaj marrëveshjeje (e për të cilat nuk ka asnjë garanci nga ndërmjetësuesi), marrëveshja e Ohërit do të jetë marrëveshje vetëm me dëme për Kosovën dhe me favore për Serbinë”, përfundon Ramadani për Insajderin./Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark