Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe nga drejtori i SHSKU-së, Elvir Azizi vizituan Klinikën e Stomatologjisë, Emergjencën dhe Kirurgjinë Plastike, për të parë gjendjen e pacientëve të shkaktuar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës.
Në Klinikën e Stomatologjisë, përveç bashkëbisedimit me stomatologët, Kurti u njoftua nga afër edhe me tri shërbimet e reja në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë, që janë fiksimi i protezave, oksiduli i azotit dhe implantologjia e të cilët kanë filluar më pak se një vit.
Ai ka vlerësuar lartë shërbimin cilësor e pritjet e shkurta të pacientëve, derisa stomatologët i falënderoi për punën e angazhimin e tyre.
Kurti ka shkuar për vizitë në Emergjencën dhe Klinikën e Kirurgjisë dhe Ortopedisë, për t’u njoftuar edhe një herë me gjendjen e 13 pacientëve të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës, të cilët i kishte vizituar edhe fundjavën e kaluar, në ditën e aksidentit.
“Ndërkaq, vazhduam edhe këtu tek Emergjenca e më pastaj edhe tek Kirurgjia Plastike që të shohim se çfarë ka ndodhur më pastaj me ata 13 pacientët që u lënduan disa lehtë e disa edhe shumë rëndë me shpërthimin e bombolës së gazit e që vijnë nga fshati Kçiq i Mitrovicës. Na njoftuan se njëra prej pacienteve tashmë ndodhet në Suedi, që ka pasur djegie të shkallës së tretë në afër 70% të trupit. Por, i kemi edhe dy pacientë të tjerë që janë në Gjermani, pesë janë këtu dhe dy po përgatiten që të dërgohen jashtë vendit nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu tha se infermierët po bëjnë krejt çfarë munden edhe dinë.
“Profesionalizmi edhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë”, ka theksuar kryeministri.