×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kurti-Vuçiq të marrin vendime të vështira”, Abazoviç: Ja si Serbia mund ta njihte Kosovën

    Insajderi
    16 August 2024 - 22:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Ai tha se liderë e Kosovës dhe Serbisë duhet të mendojnë më pak për perceptimet brenda vendit dhe të marrin vendime të vështira për të arritur një zgjidhje, e cila sipas tij, do të ishte në të mirë të të gjithë rajonit.

    Abazoviç theksoi se ai mbështet propozimin franko-gjerman, ndërsa tha se palët duhet të largohen nga konfliktet, pasi ato janë në dëm të të dy vendeve.

    “Unë e konsideroj marrëveshjen franko-gjermane si diçka të mirë. Aplikimi i marrëveshjes nuk do të sillte diçka të keqe mes palëve. Situata me më shumë konflikte është e dëmshme për të dyja palët; është e dëmshme për atë që është një vullnet i Kosovës që të integrohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe me atë të krijojë një legjitimitet më të madh; është i dëmshëm edhe në Serbi, pasi krijon jo siguri në rajon dhe ndjenjën jo konforte në Mal të Zi e Bosnje. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të kishte qenë zhvillim për të gjithë neve për një ardhmëri më të mirë.

    Unë jam pro marrëveshjes. Nuk i shoh problematike kërkesat që vijnë nga të dyja palët. Shumë herë ja kam thënë edhe kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë. Unë mendoj se fokusi duhet të jetë që ata të mendojnë më pak për perceptimin brenda shtetit, për një votë apo një mandat, sesa është ardhmëria jonë. Nëse duhet të bëjmë politikë ndryshe, duhet të marrim vendime të vështira. Këto vendime kanë keqkuptim, por vetëm këto vendime mund të ndryshojnë të ardhmen”, tha Abazoviç në një intervistë në “TEMP”.

    Për ish-kryeministrin e Malit të Zi është e vështirë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ka vetëm një rrugë që ajo të ndjehet e detyruar.

    “Zor ka me qenë që Serbia të pranojë realitetin, Kosovën e pavarur. Mirëpo, kur ta pranojnë disa shtete të tjera, ata kanë për të arritur në një situatë kur nuk do të kenë më mundësi për gjë tjetër, veçse me kriju marrëdhënie dhe me njoh Kosovën e pavarur”.

    Abazoviç foli edhe për marrëdhëniet e tij me Albin Kurtin dhe Edi Ramën, ku veçoi kryeministrin shqiptar.

    “Janë marrëdhënie perfekte me Ramën. Flas nga ana profesionale. Profesionalisht, unë mund të them se mes dy qeverive, ne i kemi rritur marrëdhëniet në nivel jashtëzakonisht të lartë. Nuk mund të them se ndoshta nuk ka mundësi më të mira, por ky është një nivel shumë i lartë. Kemi nënshkruar 11 marrëveshje. Të dy palët e kanë aprovuar marrëveshjen për lumin Buna në parlament dhe tashmë komisioni i përbashkët duhet me hap tenderin, por unë nuk jam më në pushtet. Unë frymëzoj Edin, por edhe qeverinë aktuale që t’i japin prioritet këtij projekti.

    Kam marrëdhënie shumë të mira me Kurtin. Me qeverinë e Kosovës kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë, por nuk mund të them se mund të kenë aq perfekte sa me qeverinë e Edi Ramës”, u shpreh Dritan Abazoviç.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark