Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar deklaratën e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se tensionet në veri rrezikojnë të kthehen në konflikt rajonal.
Kurti, në konferencën e ftuar për media të martën, provoi ta “korrigjonte” Escobarin duke thënë se atij s’ia merr mendja që shtetet e rajonit do të përfshihen në konflikt rajonal.
“Konflikt rajonal siç paska thënë Escobar, i bie se nuk janë dy shtete. Tash mbase ndodheni në konferencën e gabuar për media, është dashur ta pyesni atë. Cilat shtete tjera përveç Kosovës dhe Serbisë do të përfshihen? Mali i Zi? Kryeministri Edi Rama ka kërcënu Beogradin? Ndoshta”, deklaroi me ashpërsi Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Në veri të Kosovës e kemi KFOR-in, EULEX-in e para së gjithash Policinë e Kosovës, e cila po zbaton rend dhe ligj. Është një konflikt ndërmjet republikës demokratike me policinë me profesionale dhe në anën tjetër me struktura kriminale të një shteti autokratik. Unë besoj që në mes të këtyre dyjave nuk duhet të ketë zyrtarë perëndimorë diplomatik se cila është ana e drejtë”, tha më tej ai.
“Se kah mund të shkojë kriza në veriun e Kosovës, nëse nuk deeskalon, unë nuk mund ta di sot por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejt përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Herë me politikanë që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin e organizuar që synon të politizohet por qartazi faktorin dhe burimin e eskalimit do ta gjeni atje [në Beograd]”, deklaroi më tej shefi i ekzekutivit kosovar.
“Prandaj nëse ka te drejt emisari amerikan Escobar atëherë adresa ku do të duhej të merremi në mënyrë që nga veriu i Kosovës të mos të kemi konflikt rajonal, është me siguri Beogradi”.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.
Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
“Jam shumë i shqetësuar. Kjo [situata] ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, në një konfrontim rajonal. Prandaj, ne jemi shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane”, tha Escobar. /Insajderi.org/