Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kërkohet nga shtetet e QUINT’it ndaj Kryeministrit ët Kosovës, Albin Kurti, tha ambasadori italian në Prishtinë, Antello De Riu.
Duke folur për Plan-Propozimin Evropian për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, plan ky i cili u pranua në Bruksel nga palët, De Riu tha se tash kërkohet pajtimi i plotë mbi atë dokument.
Sa i përket njohjesa së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori tha se ajo duhet të vijë në një fazë të mëvonshme, përkatësisht para anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.
“Që marrëveshja bazë të funksionojë duhet dhënë edhe pëlqimin për atë dokument që përcakton hapat që do të bëjnë të mundur zbatimin e marrëveshjes. Prandaj, është një angazhim për të dy”, tha ai në Rubikon.
”Siç është theksuar disa herë, si nga kolegët e mi, ambasadorët e Quintit këtu, në intervistat e mëparshme, por mbi të gjitha në nivel të Brukselit dhe kryeqendrave, kjo marrëveshje, në të vërtetë është një marrëveshje pragmatike, le të themi, merr parasysh situatën aktuale”.
“Në situatën aktuale, sinqerisht ishte maksimumi që mund të arrihej, por është një fazë e ndërmjetme sepse është e qartë se për të vazhduar drejt integrimit të tyre evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova do të duhet të arrijnë një moment, në të cilin do të vendoset njohja reciproke”.
Njohja e ndërsjellë duhet të arrihet me t’iu afruar anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shprehet i bindur ambasadori.
”Para se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do të duhet të arrijnë një njohje ndërmjet të dyjave, një njohje dypalëshe, megjithatë unë do të doja të fokusohesha në përparësitë që Kosova do t’i ketë që sot, jo vetëm në të ardhmen, që në çdo rast kjo marrëveshje lejon njohjen e simboleve shtetërore, njohjen e integritetit territorial dhe në të njëjtën kohë ka edhe përparësi ekonomike, sepse përmes kësaj marrëveshjeje do të mund të zhbllokohen një sërë pengesash që sot, pikërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, paraqesin një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të vetë Kosovës”.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të mundësojë përparësi të mëdha dhe të dukshme për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe të Kosovës në veçanti.
Çfarëdo problemi që mund të ketë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjeografia është ajo që i përcakton zgjedhjet, zgjedhjet afatgjata. Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë të jenë fqinj, janë shtete kufitare dhe për të rritur mirëqenien e popullatës, zhvillimin e ekonomive të tyre, është e nevojshme të hiqen ato pengesa politike që sot pengojnë tregtinë e lirë, lëvizjen e çdo lloji të kapitalit”.
“Kjo marrëveshje fillon të ndihmojë këtë proces. Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë fort që të arrihet kjo marrëveshje, e cila nuk është përfundimtare, por tashmë mundëson përparësi të mëdha dhe të dukshme për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe të Kosovës në veçanti”, u shpreh mes tjerash ambasadori.