×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurtit s’i pret sëpata një vend për mërgatën, dikur thoshte se arsimi në Kosovë po prodhon “punëtorë krahu për në Gjermani”

    Insajderi
    13 November 2024 - 10:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës ka bërë një kontrast deklaratash lidhur me mërgatën. Ai para pak ditësh në një takim zgjedhor në Frankfurt të Gjermanisë i quajti më punëtorët e më patriotët ndër shqiptarët. Kështu nuk shprehej kur mësimdhënësit ia kërkonin një rritje page. Ai thoshte se sistemi arsimor në Kosovë po prodhon analfabetë funksionalë që po përfundojnë në asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani.

    Gazeta Insajderi

    Në një Kosovë, kur testet e PISA-s po na nxjerrin ¾-ën e fëmijëve analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi. Nga greva janë të gjithë humbës. Të krijosh ditë pa mësim për fëmijët është papërgjegjësi. Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga po na shtohen listat sociale. Kur t’i nuk nxjerrë kuadro të mira arsimore atëherë prodhon ose njerëz me asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani”, deklaronte me mllef Kurti në një konferencë për media kur paralajmërohej grevë nga mësimdhënësit nëse s’do të rriteshin pagat.

    Madje, tallej me kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn, ku sipas shefit të ekzekutivit i kishte thënë “nimom si vëlla, ami 100 euro”.

    Por, më ndryshe po shprehet Kurti në prag zgjedhjesh për mërgatën. Ai në një tubim zgjedhor të së dielës në Frankfurt të Gjermanisë, i ekzaltoi me fjalët më të përzgjedhura. Ua citoi veprimtarin Faik Konica e i quajti më patriotët e më punëtorët në mesin e shqiptarëve.

    Më lejoni ta filloj me një thënie të Faik Konicës nga fillimi i shekullit të kaluar. Pra, ky shkrimtar e gazetar, diplomat e intelektual e kritik letrar i mirënjohur i kombit tonë shkruante se: Të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktorë: Emigrantët dhe një elitë e vogël e lindur brenda vendit. Ky është kombinimi fitues për shtetin tonë, për kombin tonë”, deklaroi Kurti, shkruan Insajderi.

    Jo vetëm patriotët më të devotshëm, jo vetëm punëtorët më të mëdhenj, por sot edhe studentët më të shkëlqyeshëm i kemi në diasporën tonë.

    Kur themi që ne atje jemi brenda e ju jeni jashtë, nuk jemi tamam të sigurt për këtë. Meqenëse, nëse i ke patriotët më të mëdhenj, punëtorët më të devotshëm dhe mendjet më të ndritura jashtë, pra edhe zemra edhe muskujt edhe truri atëherë njëmend lind pyetja se kush është jashtë e kush është brenda. Ndoshta ne që jemi atje brenda jemi më jashtë, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne atje”, deklaroi fjalë për fjalë shefi i Qeverisë.

    Për citimin e fjalëpërfjalshëm të deklaratave të tij nga tubimi pati ankesa nga vetë shefi i ekzekutivit. Kurti u ankua para gazetarëve se iu nxor nga konteksti kjo deklaratë. Ai tha se kishte synuar të theksonte rolin e rëndësishëm të diasporës në ruajtjen e patriotizmit dhe zhvillimin profesional të kombit. Sipas tij, shqiptarët në diasporë janë ata që i japin Kosovës një kontribut të jashtëzakonshëm si në aspektin patriotik, ashtu edhe në atë profesional.

    Ajo çfarë kam thënë është se prej shqiptarëve më të devotshëm në kuptimin patriotik e më të zotë në kuptimin profesional unë i gjejë në diasporë. Ne kemi nevojë ta kthejmë trurin në Kosovë, sepse disa prej ekspertëve më të zot nuk i kemi në vendin tonë”, ka thënë Kurti ndër tjerash.

    Kam konsideratën time më të lartë për patriotizmin, për profesionalizmin dhe zellin që kanë këta bashkatdhetarët tanë. Nuk është e çuditshme që ekonomitë më të fuqishme të botës janë edhe aty ku kanë shumë diasporë shqiptare. Për shembull në Zvicër, Gjermani, SHBA. Këto janë ekonomi gjigante, e aty ka shumë shqiptarë. Prandaj, natyrisht që në ato sisteme politike dhe ekonomike shqiptarët janë të jashtëzakonshëm. Nuk mund të krahasohemi asnjëri prej neve me punën që bëjnë ata në Gjermani dhe Zvicër, se fundja shikoni ku janë Gjermania dhe Zvicra sot”, deklaroi ndër të tjera para gazetarëve. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark