
Zhvillimet politike në Kuvendin e Kosovës kanë marrë një kahje komike pas deklaratës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mimoza Kusari-Lila.
Pas kërkesës së Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, për largimin e deputetëve të Listës Serbe, të cilët pas një mungese 6-mujore u shfaqën sërish në Kuvend, Kusari-Lila ka reaguar me një qëndrim të ashpër ndaj mbështetësve të Milan Radojçiqit.
Ndërkohë, muaj më parë, Kusari-Lila u bë objekt i kritikave pasi u publikua një audio-incizim, ku ajo bisedonte me kryekriminelin Milan Radojçiq.
Në bisedën telefonike të publikuar Kusari-Lila bisedonte me Radoiçiqin për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Në anën tjetër, sot Kusari-Lila ka thënë se deputetët e Listës Srpska janë të përfshirë në provokime dhe përkrahin politikat destabilizuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka akuzuar ata se janë pjesë e agjendës së destabilizimit të Kosovës dhe ka kërkuar që ata të mbajnë përgjegjësi për mbështetje të strukturave kriminale.
Postimi i plotë i Kusari-Lilas:
Të dashur qytetarë,
Sot vazhduam me një agjendë dinamike legjislative.
U miratuan një grup ligjesh që bartin potencialin për zhvilluar një mori sektorësh. Të gjitha ato kanë në qendër mirëqenien e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve te shtetit tonë.
Po ashtu sot ishim dëshmitarë të një provokimi nga ana e deputetëve të Listës Serbe. Ata siç e kanë bërë zakon shfaqen një herë në 6 muaj e në ndërmjet i bëhen krah jo qytetarëve të Kosovës por terroristëve dhe gjithë atyre që i mbështesin politikat agresive të Vuçiqit.
Po siç e tha Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca s’kanë çka kërkojnë mbështetësit e kryeterroristit në Kuvendin e qytetarëve.
Kjo legjislaturë u ka dhënë qytetarëve mbi 300 ligje të reja. Ndërsa sot midis të tjerave u miratuan Ligji pêr Byronë e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, Ligji për banimin social dhe të përballueshëm dhe Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.
Urime dhe puna vazhdon pa ndalur!