Shkruan: Ben Blushi
Jezu Krishti duhet të jetë i vetmi njeri në histori që ndryshoi botën pa e patur në plan.
Ai lindi hebre jetoi si hebre dhe vdiq si hebre. Jezu Krishti nuk ishte dhe nuk donte të ishte i krishterë. Ai nuk e kishte emrin Krisht megjithëse është themeluesi i Krishtërimit.
Jezu Krishti kishte disa talente të cilat në kohën e tij ishin të rralla. Fliste rrjedhshëm, dinte të lexonte, ishte karizmatik dhe kishte aftësinë të mblidhte pasues të shumtë të cilët e ndoqën edhe pas vdekjes.
Në atë kohë njerëzit nuk mund të beheshin as mbretër dhe as prijësa pasi këto funksione ose trashëgoheshin ose jepeshin nga romakët.
Nga të gjitha profesionet drejtuese vetëm njërin nuk ta jepnin dot romakët, por ta jepte populli : profesionin e profetit. Në këtë mënyrë Jezu Krishti u shpall profet dhe shkëlqeu mbi të gjithë profetët e tjerë para tij.
Por 2000 vjet më parë, që të ishe profet, duhet të bindje njerëzit se ishe i gatshëm të vdisje për ta. Megjithëse kishte frikë Jezu Krishti e kërkoi vdekjen me guxim dhe pa asnjë dilemë.
Por përpara se të vdiste ai dëshmoi se ishte shumë ambicjoz.Ai ishte një djalë i ri, idealist i pakënaqur që donte të ndryshonte mënyrën se di drejtohej populli hebre.
Për këtë shkak hebrenjtë dhe romakët e vranë. Si një kërcënim.
Jezu Krishti ishte kërcënim për pushtetin politik dhe atë fetar. Ai ishte kërcënim në tokë dhe në qiell.
Pas vdekjes, jeta e tij ndryshoi totalisht. Ringjallja ishte mohimi i jetës së tij para vdekjes.Jezu Krishti u përdor për të krijuar një fe e cila në shumicën e rasteve që iu dhanë, bëri gjithshka që ai nuk e kishte dashur. Kjo fe vrau dhe persekutoi pak a shumë këdo, paganë,të krishterë, muslimanë, hebrenj, duke kërkuar dominim, pasuri dhe pushtet.
Nga një instrument dashurije, Krishtërimi u kthye në një instrument force. Në këtë mënyrë helmoi dhe fetë e tjera duke i udhëhequr në rrugën e ndarjes, dhunës dhe izolimit.
Krishtërimi është një fe për të cilën Jezu Krishti nuk ka menduar asnjë cast. Krishtërimi lindi nga vdekja e Jezu Krishtit dhe kjo është një arsye më shumë që ai nuk duhet të kishte vdekur.
Vdekja e tij la një zbrazëti që u mbush me urrejtje, kur jeta e tij ishte e mbushur me dashuri.
Megjithëse romakët janë direkt përgjegjës për vrasjen e tij, ata fajësuan hebrenjtë për atë vrasje. Kjo lojë fetare mes dy popujve është shkaku i të gjitha peripecive të hebrenjve në histori. Ata u akuzuan si tradhtarë të Krishtit dhe prandaj u përsekutuan nga të krishterët vazhdimisht, shumë kohë përpara Hitlerit. Ky paragjykim për hebrenjtë vazhdon ende dhe sot quhet antisemitizëm.
Megjithatë përvec romakëve dhe hebrenjve në vdekjen e Jezu Krishtit ka mërrë pjesë edhe një i tretë: Zoti.
Ndryshimi është se, nëse romakët dhe hebrenjtë fajësojnë njëri tjetrin për vdekjen, të krishterët nuk e fshehin pjesëmarrjen e Zotit në këtë krim. Edhe vetë Zoti nuk e fsheh. Ai e pranon se donte që Jezu Krishti të vdiste dhe kombinoi të gjitha rrethanat që vdekja e tij të ndodhte në mënyrën më mizore. Me vuajtje, me tortura dhe me shumë poshtërim.
Pyetja është se nëse romakët dhe hebrenjtë kishin arsye për ta vrarë Jezu Krishtin, cfarë arsye kishte Zoti që e vrau kur ai mund ta ndalonte këtë vrasje ?
Të krishterët thonë se Zoti e vrau birin e tij për ti treguar botës se i do aq shumë njerëzit sa sakrifikon edhe birin e tij për dashurinë e tyre.
Kjo ëshë paqartësia më e madhe e historisë dhe këtu të krishterët janë gjithmonë konfuzë. Sipas meje ata nuk dinë se c’flasin. Përpiqen të justifikojnë një vrasje duke themeluar fenë e tyre mbi një të vdekur që u vra pa bërë asnjë mëkat.
Cështja është pse duhej ta vriste Zoti birin e tij?
Po sikur Zoti të kishte marrë një vendim tjetër? Pra në vend që ta sakrifikonte, ta linte Jezu Krishtin të gjallë duke i dhënë fuqi të bashkonte popujt, duke i bindur ata se ndjekja e të mirës që predikonte Jezu Krishti do i conte në rrugën e paqes dhe lumturisë së përhershme, pa vrasje, pa mëkate dhe pa dhunë.
Imagjinoni sa e bukur do ishte bota sikur Jezu Krishti të ishte gjallë. Sikur ai të kishte jetuar 80 vjet apo 120 sic jetonin profetët zakonisht. Me siguri do ishte martuar dhe soji i tij i fisëm do vazhdonte të na drejtonte në udhën e mirësisë.
Meqë ai ishte medjehapur dhe modern, shkenca do përparonte më shpejt, kisha nuk do vriste shkencëtarët, gratë do ishin më të lira, fetë e tjera nuk do ishin kaq agresive,ndoshta fe të tjera nuk do kishte nevojë të kishte dhe bota mund të mos njihte asnjë luftë fetare mes të krishterëve muslimave dhe hebrenjve.
Nëse ai nuk do vritej, hebrenjtë dhe të krishterët nuk do ishin ndarë dhe muslimanët që e njohin Jezu Krishtin mund të mos kishin nevojë për profetë të tjerë.
Jetët e miliona njerëzve do ishin shpëtuar dhe barazia do kishte mbretëruar mbi botën tonë.
Jezu Krishti sic e tha vetë do ishte Mbreti i kësaj parajse.
Jezu Krishti do e kishte bashkuar botën i gjallë, cka nuk nuk e bëri dot i vdekur.
Por Zoti nuk mendoi kështu. Ai zgjodhi rrugën tjetër dhe ajo që ndodhi më pas dihet. Bota jonë është më e pasur se 2000 vjet më parë por poaq e egër, makute dhe e ndarë në popuj që urrejnë njëri tjetrin.
Kush është i krishterë duhet ta pranojë se vdekja e Jezu Krishtit ishte një gabim i Zotit. Ishte një llogari e bërë keq pa marrë parasysh pasojat.Ishte një egoziëm i sëmurë. Mjafton kjo vrasje për të dyshuar realisht tek Zoti dhe qëllimet e tij.
Kush është i krishterë duhet të pranojë gjithashtu se ringjallja nuk ka funksionuar. Në fund të fundit pse duhej të ringjallej Jezu Krishti kur mund të mbetej gjallë ?
A nuk mendon cdo i krishterë se i gjallë Jezu Krishti do ishte më i mirë se i vdekur?
Unë them se po.
Prandaj mendoj se vrasja e Jezu Krishtit është një nga gabimet e shumta të Zotit. Ndoshta gabimi që rëndon më shumë.Ky është gabimi që devijoi historinë dhe e futi në një rrugë nga e cila nuk po dalim dot.
Janë këto arsye që më bëjnë të besoj se Jezu Krishti është njeriu më i abuzuar në histori. Atij ju vodh jeta nga hebrenjtë, ju vodh emri nga grekët, ju vodh vdekja nga të krishterët dhe ju ndërpre vepra nga Zoti.
Por në fund të fundit Jezu Krishti nuk ka asnjë faj.
Atë e vranë. Njerëzit në bashkëpunim me Zotin.
Por nëse, sic thotë ai vetë, njerëzve u falet sepse ata nuk dinë se c’bëjnë, Zotit nuk i falet.
Zoti e dinte se c’mund ti ndodhte botës pa Jezu Krishtin. Nëse nuk e dinte atëherë nuk është Zot.