Dalibor Spasic është arrestuar sot nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet të ketë sulmuar gazetarët në veri.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një postimi në facebook.
“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla.
Që nga nisja e tensioneve në veri të vebndit dhe protesave atje, një numër i kosniderueshëm i gazetarëve janë sulmuar teksa po raportonin nga atje.
Edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie ka njoftuar se Spasic, i cili dyshohet se sulmoi gazetarët është 35 vjeçar.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarin për sulm ndaj gazetarëve
Prishtinë, më 17 qershor 2023
Policia e Kosovës, është duke trajtuar me prioritet rastet e dhunës së shënuar kohëve të fundit në veri të vendit, kështu pas hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar: D.S., mashkull serb, viti i lindjes 1988, i cili më 31.05.2023, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve në Zveçan.
Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.