Drilon Berbati, ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, po raportohet se është arrestuar në Serbi dy ditë më parë, pasi që dyshohet se i njëjti është kapur me narkotikë.
Për arrestimin e tij ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, teksa ka publikuar edhe pamje të marihuanës së fshehura në veturën me të cilën po voziste.
Në njoftimin zyrtar të MPB’së serbe thuhet se Berbatiut iu janë konfiskuar gjithsej 32 pako me marihuanë apo gati 18 kilogramë.
Por, kush është Drilon Berbati, i cili vitin e kaluar u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare?
Me 19 korrik 2023, Policia e Kosovës kishte arrestuar Drilon Berbatin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në periudhën sa ishte në pozitën e ‘zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme’.
Ish-zyrtari i MPB dyshohet se kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.
Gjykata Themelore në Prishtinë, saktësisht Departamenti i Krimeve të Rënda ia kishte caktuar Berbatit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Aksioni për arrestimin e tij ishte udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Rasti për të cilin dyshohej Berbati kishte ndodhur me 15 tetor 2021 në Prishtinë.
“I lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N.“- thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Për rastin në fjalë, në dhjetor të 2023’ës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Berbatit.
Në njoftim thuhet se zyrtari D.B., akuzohet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Ndryshe, sot Insajderi ka kontaktuar MPB-në për konfirmimin e arrestimit, por deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.