Elvis Kelmendi, djali i Naser Kelmendit është arrestuar të martën nga Njësia Speciale e Bosnje dhe Hercegovinës, në një aksion të madh kundër krimit.
Babai i Elvisit, biznesmeni nga Peja ishte i përfshirë në një sërë veprash kriminale bashkë me djemtë e tij.
Elvisi është djali i madh i Naserit, i cili së bashku me vëllezërit e tij Liridon dhe Besnikun, janë në listën e anëtarëve të karteleve kriminale nga Meksika dhe Amerika Latine, raportojnë mediat e rajonit.
Ai ishte shpallur fajtor nga drejtësia kosovare për vrasje në tentativë të një të riu boshnjak. Elvis Kelmendi kishte provuar ta vriste Elvis Hoxhiqin në nëntor të 2010 në Sarajevë duke shtënë të paktën shtatë herë në drejtim të tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Rasti kishte ndodhur me 9 nëntor 2010 në kafe-barin “Band” që gjendet në rrugën Ismet Mujezinoviq” në Sarajevë rreth orës 23 e 50. Elvis Kelmendi kishte shtënë në Hoxhiqin me armë “Glock” kalibër 9.19 milimetra duke i shkaktuar lëndime trupore e duke ia rrezikuar jetën.
“Derisa po kryente veprën i pandehuri ka vepruar pamëshirshëm dhe dhunshëm dhe me qëllim ka rrezikuar jetën e më shumë se një personi – aty ishin më shumë se 10 persona të pranishëm në kafe bar” – thuhej në aktakuzë.
Ai ishte arrestua edhe në Beograd në vitin 2017 për dhunë në familje dhe armë pa leje. Elvisi u denoncua në polici nga e dashura e tij.
Bashkë me babain dhe dy vëllezërit e tij janë të përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si trafikues ndërkombëtar të drogës.
Po ashtu Elvis Kelmendi ishte shfaqur në publik në vitin 2019, ku përmes një video inçizimi kishte kërcënuar Demë Elshanin, me familjen e të cilit janë në hasmëri që 21 vite.
Në mesazhe, Kelmendi kërcënohet se do të vritet bashkë me familjen e tij – gruan dhe vajzën.
“O bir qeni mos kujto që tkam harru unë ty që ke organizu për me na vra edhe që ke marrë pjesë në vrasje. Mos meno që ki me pshtu. Kom me ta lon qat buz kuqe vejushk. Skom me ta lon edhe qat qikën e vogël puthe sa te munesh se pak ki me puth. Po mos harro që edhe çdo lëvizje ta di edhe tka rujt zoti ty dy a tri herë”, shkruhej në mesazhin që kishte pranuar Elvis Kelmendi.
“E din ti veç kush mem ik ska as mem jet borxh ski me mujt as ti as ata të tutë”, thuhej në mesazh.
Ai ishte në kërkim nga Policia e Kosovës, madje për këtë PK kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për çdo informacion rreth vendndodhjes së tij.
Familja Kelmendi njihet për zotërim të madh të pasurisë, ata cilësohen si “bosët e drogës”, të kërkuar nga njësitet policore në disa vende të Ballkanit.