
Kryeqyteti i Çekisë, Praga, nuk do të jetë vend krejt i panjohur për Flakron Shalën, Konsullin e ri të ambasadës së Kosovës atje.
Shala ka kohë që jeton në shetin çek pasi edhe punon atje, shkruan Gazeta Insajderi.
I njëjti në gusht të 2020-ës është emëruar menaxher i shtetit në kompaninë “Elanor”, por edhe është emëruar anëtar i bordit të drejtorëve, po në këtë ndërmarrjeje.
“Elanor” është një nga kompanitë që furnizojnë̈ sisteme informacioni në fushën e burimeve njerëzore dhe gjithashtu një nga kompanitë e para që zgjeroi shërbimet e saj për të përfshirë shërbimet e jashtme të pagave të siguruara në tetë vende të tjera në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore (CEE).
Lajmin atë kohë e kishte bërë të ditur vetë Shala përmes një shkrim në profilin e tij në Facebook.
“Në mbledhjen e bordit të drejtorëve, unë propozova strategjinë e re për zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit dhe propozova Republikën e Kosovës si mundësinë e re për t’u zgjeruar. Bordi i drejtorëve miratoi nismën që unë propozova dhe më kërkoi që të ndërmarr hapat e nevojshëm për të lansuar degën e kompanisë në Kosovë”.
Shala kishte thënë se “Elanor në Kosovë do të hapë shumë mundësi për qytetarët e Republikës”.
“Pasi që të ulet edhe pak rreziku i pandemisë aktuale dhe të krijohen kushte më të mira të udhëtimeve dhe të punës, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm në praktikë, për të lansuar degën e kompanisë në Kosovë”.
Nga vota e Haxhi Shalës për qeverinë Hotin, tek emërimi i djalit të tij për Konsull
Shalës ia kanë shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahet fshehtë.
Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala, është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë.
Mbështetur në dokumentet që ka siguruar “Koha”, emërimi është bërë me dekret të presidentit Thaçi pas rekomandimit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, tani bashkëpartiake me Shalën.
Në shkresën dërguar presidentit me datë 28 shtator, Haradinaj i rekomandon presidentit ta dekretojë djalin e deputetit.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ju drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, shkruan në letrën e Haradinaj dërguar Thaçit.
Ndërkaq me datën 20 tetor, ish-presidenti Thaçi e firmos dekretin nëpërmjet të cilit obligon ministrinë t’i ndërmarrë veprimet për zbatimin e tij.
Megjithatë, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e Presidentit, ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani, ka thënë se do ta shfuqizojë dekretin që e bëri djalin e Shalës konsull.