×
  • Lajme
  • Analiza

    Kush është Jeton Raka, personi kaq i rëndësishëm për Kurtin që kapërceu pozita për t’u bërë zëvendësministër?

    Insajderi
    09 January 2024 - 17:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fillimisht ishte kandidat për kryetar të Komunës së Kaçanikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pasi dështoi ta fitonte Kaçanikun, Jeton Raka u emërua drejtor i Prokurimit nga komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu i VV-së. Në shtator të këtij viti, Raka figuronte këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Të martën, ai u emërua si numri dy i kësaj qeverisje nga kryeministri Kurti.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot z. Jeton Rakën, zëvendësministër të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Kryeministri Kurti e uroi z. Raka për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, lëshuar të martën, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sa është i rëndësishëm tek Kurti z. Raka?

    Raka aktualisht është koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik. Ai ishte kandidat për kryetar nga radhët e VV-së në këtë komunë, ku kishte dështuar të zgjidhet për të parin e Kaçanikut në zgjedhjet lokale të 2021-ës.

    Tash numri dy i Infrastrukturës e shfrytëzoi ekspertizën e tij që të emërohej drejtor i Prokurimit në Komunën e Shtimes, ku udhëheq Qemajl Aliu i VV-së.

    Në biografinë e Rakës tek uebfaqja zyrtare e Vetëvendosjes, thuhet se ky i fundit ka përvojë disa-vjeçare të punës në prokurim publik.

    Opozita e Shtimes shprehu indinjatë që Aliu përzgjodhi një person nga një komunë tjetër për të udhëhequr këtë drejtori. PDK-ja në Shtime përmes një reagimi ka thënë se Shtimja “ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune”.

    Gazeta Insajderi ia kishte parashtruar kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës për shpenzimet për udhëtime për periudhën janar-tetor. Në ato shpenzime, Raka figuron si këshilltar i ministrit Aliu.

    Raka është parë pranë ministrit Aliu nëpër aktivitete të ndryshme gjatë kohës së shkurtër sa shërbeu si këshilltar, përpara se të shpërblehej si zëvendësministër.

    Ai ka pozuar përskaj kryetarit të Komunës së Leposaviqit nga radhët e VV-së, Lulzim Hetemin, dhe ministrit Aliu përgjatë njoftimit për funksionalizimin e shërbimeve kadastrale në katër komunat veriore të Kosovës.

    “Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë, vizituam komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, me ç’rast takuam kryetarët e komunave përkatëse për të bërë lansimin e funksionalizimit të shërbimeve kadastrale, kështu duke hapur në secilën komunë Zyret Kadastrale Komunale”, thuhet në njoftimin e Aliut, që mban datën 27 nëntor.

    Raka “shleu” borxhin ndaj kryetarit të Shtimes me prezencë në përurimin e punimeve për rrugën tranzit në Shtime, në fund të dhjetorit të 2023-ës. Ky projekt, bashkë me punimet për rehabilitimin e rrugës rajonale Lipjan – Shtime, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës dy milionë euro.

    Gjegjësisht, Raka për një periudhë të shkurtër kapërceu dy pozita të rëndësishme të pushtetit, për ta marrë të treten, si numri dy i Infrastrukturës.

    Aktualisht, Ministria e Infrastrukturës përveç Rakës zëvendësministër e ka edhe Hysen Durmishin.

    Jeton Raka është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2017. Sipas VV-së, ai ishte pjesë e grupit punues në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe udhëheqës i Departamentit Ligjor. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark