Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së, Gentiana Gashi-Pepaj, e cila në listën zgjedhore ka numrin 87, ka prezantuar veten nëpërmjet një videoje të postuar në profilin e saj në Facebook.
Kandidatja nga Drenasi, përveç tjerash, ka treguar se është motra e dëshmorit Mentor Gashi.
“Sakrifica e tij dhe e mijëra të tjerëve na kujton se liria është përgjegjësi, e jo privilegj. Sot qëndroj këtu, së bashku me tre djemtë e mi, të frymëzuar që të vazhdojmë dhe ta përmbushim amanetin e tyre,” ka thënë ajo, teksa ka vizituar varrin e vëllait të saj në varrezat e dëshmorëve.
Tutje, ajo ka thënë se, si juriste, do të angazhohet për përmirësimin e ligjeve, për gratë, arsimin, shëndetësinë, sportin, veteranët dhe familjet e dëshmorëve.
“Si lidere dhe profesioniste në sport, një fushë ku disiplina, puna dhe përkushtimi janë thelbësore, do ta sjell këtë energji dhe vizion në politikë, për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë,” ka deklaruar Gashi.