Gazeta Insajderi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të hënën për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Po atë ditë, ai së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Shefin e Stafit, Luan Dalipi, Këshilltarin Politik për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu dhe Këshilltaren politike të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gearda Demiraj kanë qenë folës në Samitin e Investitorëve në Cyrih, të organizuar nga Qeveria e Kosovës.
Organizim ky që ka kushtuar saktësisht 58 mijë e 341 franga, shkruan Gazeta Insajderi.
Para këto që pa asnjë procedurë prokurimi i ka marrë Kurt Weber, kryetari i Bordit të SELISE (Secure Link Services AG).
Më këtë të fundit, majin e vitit të kaluar kur Kurti ishte në Zvicër, e kishte nënshkruar një “Letër qëllim, nëpërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Kosovës dhe SELISE, në formë të shkruar shprehin interesimin e përbashkët për të promovuar të bërit biznes në Kosovë”.
“Kryetari i Bordit të SELISE, Kurt Weber, ka nënshkruar një Letër qëllimi me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të shprehur interesin e përbashkët për promovimin e të bërit biznes në Kosovë dhe mbështetjen e Republika e Kosovës në kontekstin e transformimit digjital”, thuhej në njoftimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.
Pesë muaj pas këtij takimi, në tetor të vitit 2022, Weber kishte ardhur në Kosovë, dhe ishte pritur nga Kurti në zyrën e tij në Prishtinë.
Në takim ishte biseduar për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik në Zvicër para Forumit Ekonomik Botëror, i cili tash po mbahet në Davos.
Po ashtu, ishte diskutuat edhe për ngritjen e kapaciteteve në Kosovë përmes Partneriteteve Publiko-Private dhe trajnimeve të vazhdueshme nga SELISE, shkruan Gazeta Insajderi.
“Selise” është kompani ndërkombëtare në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit me 500 punonjës në mbarë botën.
Kjo kompani vitin e kaluar filloi operimin në Kosovë dhe tani po planifikon të rrisë numrin e të punësuarve për vitet në vijim.
E pikërisht për këtë kompani, e cila nga Kurti i ka marrë 58 mijë e 341 franga pa asnjë procedurë prokurimi, ka reaguar Avdulla Hoti, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi”, ka shkruar Hoti, transmeton Gazeta Insajderi.
Të fundi i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i kryeministrit, Përparim Kryeziu.
“Më çka nuk është i kënaqur deputeti Hoti? 1) Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurtin në Davos në mesin e shumë liderëve botërorë? 2) Me organizimin e konferencës për investitorë të huaj? 3) Me ftesën që po bën për investime të huaja në vend? 4) Me takimin me kryeministren e Finlandës, vend anëtar ky i BE-së, e cila së fundmi ka aplikuar në NATO, synim ky edhe i joni? 5) Me kërkesën për më shumë siguri për Kosovën përmes më shumë trupave të NATO-s në Kosovë? Siguria e shtuar për Kosovën është siguri edhe për investitorët 6) Me shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit? 7) Me faktin që Albin Kurti është kryeministër i Kosovës?”, ka shkruar Kryeziu, trasmeton Gazeta Insajderi.