×
  • Lajme
  • Analiza

    Kush është përfituesi i tenderit të Përparim Ramës?

    Insajderi
    28 September 2022 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar jashtëligjshëm një kontratë, për furnizimin e shkollave me pelet.

    Për komuna shpenzoi 425 mijë euro më shumë sesa që kishte planifikuar kur e hapi aktivitetin e prokurimit më 5 korrik të këtij viti.

    Do të thotë vlera e parashikuar u tejkalua për 115%. Kjo bie ndesh me nenin 19, pika 1, të Ligjit të Prokurimit, i cili specifikon se lejohet tejkalimi i vlerës vetëm deri në 125 mijë euro më tepër.

    Komuna e Prishtinës për një ton pelet ka paguar rreth 500 euro, derisa për 1 mijë e 600 gjithsej 795 mijë euro, tender ky të cilin e ka fituar “Avni Murtezi” apo “Berveniku”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, kush është përfituesi i tenderit të Përparim Ramës?

    Avni Murtezi, pronar i “Berveniku”-t, e ka ftuar tenderin afro 800 mijë euro nga komuna e Përparim Ramës.

    Ai për dy muaj do t’i furnizojë shkollat dhe çerdhet publike të kryeqytetit me pelet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, e kishte dënuar me kusht të akuzuarin Nuro Ismaili, duke vërtetuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 1 viti,  i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër të re penale.

    Kjo pasi Ismaili ishte akuzuar se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ismaili ngarkohej se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

    Po ashtu, ai ngarkohej se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës ai ngarkohej se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Dragashit.

    Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Përparim Ramë hesht për tenderin gjysmë milionësh të biznesmenit të burgosur

    Janë bërë dhjetë prej kur Përparim Rama, i ka pranuar disa pyetje nga Insajderi mbi një kontratë të dyshimtë, dhe një javë prej kur Gazeta ka raportuar ekskluzivisht për tenderin e shtrimit të rrugës “Nekibe Kelmendi”, dhe ai ende nuk ka folur për rastin.

    Ndonëse javën e kaluar Rama i kishte monitoruar punimet në ndërtimin e udhës që çon për te “Pallati i Drejtësisë”, ai tash hesht për projektin mbi gjysmë milion euro, të cilin e ka fituar “Gërlica-Company” SH.P.K.

    Përparim Rama, kryetari i Prishtinës duke inspektuar punimet tek rruga “Nekibe Kelmendi”

    Pronari/aksionari i saj Mifail Vogliqi e ka marrë tenderin nga Zyra e Prokurimit të Përparim Ramës, pavarësisht se është i dënuar me burgim për keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, zbulon Gazeta Insajderi.

    Sipas nenit 65 paragrafit 3 të Ligjit për Prokurim Publik: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.

    Por, ky fakt se ka penguar zyrën e Prokurimit të Përparim Ramës që me 3 gusht, ta lejojë nënshkrimin e kontratës me titull: Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi P 45 deri P-13.

    Gazeta Insajderi për këtë çështje ka kërkuar përgjigje nga kryetari Përparim Rama, nënkryetari Alban Zogaj, departamenti i Prokurimit dhe ai i Komunikimit, por që nga e premtja e kaluar nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Kërkohen hetime kundër “Gërlica-Company” për ‘keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik’

    Të premten, më 16 shtator, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, e ka pranuar një kërkesë për inicim të hetimeve kundër kompanisë ferizajase.

    Kjo për faktin se Albion Vogliqi, përfaqësuesi i autorizuar nga Mifail Vogliqi, pronari i “Gërlica-Company”, ka nënshkruar deklaratën nën betim duke mos e njoftuar komunën e Prishtinës, se shefi i i tij ishte shpallur fajtor për mashtrim të shtetit.

    Deklarata nën betim të cilën e ka nënshkruar Albion Vogliqi

    Kështu i bie se i autorizuari Vogliqi e ka mashtruar komunën e Prishtinës dhe e ka shkulur Ligjin e Prokurimit Publik kur nuk ka treguar për dënimin e pronarit të kompanisë.

    Operatori Ekonomik, në këtë rast “Gërlica-Company” ka paraqitur dokumente te rreme tek Autoriteti Kontraktuese, komuna e Prishtinës.  

    Gazeta Insajderi e ka pyetur kompaninë pse në dosjen e tenderit nuk e ka paraqitur dokumentin e aktgjykimit të Vogliqit, por “Gërlica-Company” ende nuk ka kthyer përgjigje.

    As Prokuroria Themelore e Prishtinës, ende nuk ka treguar nëse ka nisur hetimet ndaj ndërmarrjes në fjalë, pronari i së cilës pos që ka qenë i dënuar për mashtrim të shtetit, e ka mashtruar sërish atë.  

    Ndryshe, shkresën për inicim të hetimeve nga AVONET, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, e ka pranuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe disa komponentë të tjerë, por asnjëra palë ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Insajderi.

    Për çka saktësisht është dënuar Mifail Vogliqi?

    Më 2 gusht 2021, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte shpallur fajtor, Mifail Vogliqin dhe e kishte dënuar me burgim.

    Sipas aktgjykimit të cilin e ka Gazeta Insajderi, ai ishte dënuar me 180 ditë burgim, ose gjashtë muaj vuajte të dënimit, të cilin më pas e ka paguar me gjobë.

    Kjo për shkak se Vogliqi kishte kryer veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Mifail Vogliqi, pronari/aksionari i “Gërlica-Company”

    Sipas vendimit të Gjykatës, “Vogliqi në cilësinë e pronarit të “Gërlica-Company” me vetëdije të plotë ka shkelur rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe ndikimit tek autoriteti kontraktues”.

    Konkretisht Vogliqi ka paraqitur dokumente të rreme, përkatësisht pa autorizimin e A. K., inxhinier i komunikacionit dhe të A.D., inxhinier i ndërtimtarisë, me të cilët kompania e tij nuk ka pasur kurrfarë para kontrate ose kontrate të punës, ka përdorur të dhënat e tyre personale.

    Siç janë përgatitjet e tyre profesionale për të plotësuar kriterin e dosjes së tenderit të shpallur nga komuna e Vitisë më 1 tetor 2020, lidhur me projektin e “ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, faza e dytë”.

    Hulumtimi i plotë i Njomza Salihit:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark