Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë “do të trajtohet si armik i Kosovës”.
Haradinaj këtë e tha përmes një shkrimi në ‘Facebook’-un e tij, pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se hapja e Urës së Ibrit rrezikon ushtarët amerikanë në kuadër të misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, KFOR, shkruan Insajderi.
“Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet! Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen”, ka deklaruar Haradinaj.
Përkundër insistimit amerikan për mos-hapje të Urës së Ibrit, Kurti sot ka thënë se nuk diskutohet si çështje hapja e Urës së Ibrit.
“Nuk është çështje diskutimi është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur te gjitha diskutimet dhe është thëne qe ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017, jemi në gusht 2024”, deklaroi Kurti. /Insajderi.org/