Kushtetuesja: Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua si duhet, urdhërohet përfundimi i Seancës Konstituive brenda 12 ditëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kushtetuesja: Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua si duhet, urdhërohet përfundimi i Seancës Konstituive brenda 12 ditëve

    Insajderi
    30 September 2025 - 15:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si duhet për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

    Në vendimin e saj, Gjykata urdhëron që seanca të përfundojë brenda 12 ditëve dhe që deputetët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës, shkruan Insajderi.

    Gjykata, njëzëri, ka vendosur:

    TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;

    TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

    TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;

    TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;

    TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

    TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark