×
  • Lajme
  • Lajme

    Kushtetuesja rrëzoi ligjin për byronë, Haxhiu vihet në kundërsulm: I kanë borxhe e po i shërbejnë nomenklaturës së vjetër

    Insajderi
    26 June 2024 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrur vendim lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Pas këtij vendimi ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, si njëra prej çështjeve më prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ekspertë të fushës, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut, në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut kemi përfunduar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si përgjigje ndaj fenomenit që e ka gërryer për vite të tëra pasurinë publike e etikën e zyrtarit të lartë publik.”

    Ajo ka thënë se kanë inkorporuar secilin rekomandim të Komisionit të Venediktit.

    “Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut.”

    Haxhiu ka shtuar se PDK e dërgoi në Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën në drejtësi. Ajo tha se arsyet për këtë i kanë të qarta të gjithë.

    “Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë.”

    E para e dikasterit të Drejtësisë tha se Kushtetueses iu deshën 16 muaj për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij projektligji. Ajo shtoi se 5 nga 9 gjyqtarët vendosën që “Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.”

    “Në anën tjetër, 16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.”

    Ministrja Haxhiu ka shkruar në Facebook se vullneti i qytetarëve për drejtësi po “tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzisht që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër”.

    “Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark