Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se do të pranonte të bënte një koalicion me LDK-në vetëm nëse kryeministër i përbashkët i tyre do të ishte një person nga AKR-ja.
Pacolli ka thënë se nuk pranon që të bëjnë koalicion me LDK-në nëse Isa Mustafa është kandidat i përbashkët për të drejtuar qeverinë.
“Ne sot kemi kërkesa prej shumë partive dhe kuptimi i të qenurit në politikë është vetëm nëse AKR ka mundësi ta ndryshojë Kosovën, ta ridrejtojë Kosovën në binarët e duhur, ta ndërtojë Kosovën,” ka thënë ai.
“Na ndryshon doktrina qeverisëse me LDK-në. Ne kemi krejtësisht një doktrinë tjetër. Ne tentojmë që qeveria e ardhshme të formohet diku me vetëm 30 për qind të administratës publike që sot e sheh aty. Ne tentojmë që administrata publike të kthehet nga kuantiteti të kthehet në një administratë publike kualitative”, ka thënë ai në emisionin Komiteti të Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini.
Pacolli në disa raste ka thënë se synon që AKR të fitojë 20 për qind të votave në zgjedhjet e ardhshme./Insajderi.com