
Për herë të 36-të radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet, duke e zgjatur edhe më tej krizën institucionale që po e mban vendin të paralizuar politikisht pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në seancën e sotme, në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë, por përsëri nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të formuar komisionin me votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – një përpjekje që po dështon vazhdimisht.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përsëriti propozimin për formimin e këtij komisioni, i cili synon të zhbllokojë procesin zgjedhor të kryetarit të Parlamentit.
Por rezultati ishte i njëjtë si herëve të tjera: nga 99 deputetë, vetëm 53 votuan pro, 1 kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim, çka nënkupton mungesën e kuorumit të nevojshëm.
“Për sot seanca mbaroi, shihemi me 25.06 në ora 12:00”, tha shkurt Dehari duke e përmbyllur edhe këtë seancë./Insajderi