Kuvendi i Kosovës ka thënë se nuk e ka përpiluar agjendën e Seminarit të 93-të “Rose Roth” që do të mbahet në Prishtinë, e të në cilën është shkruar se pjesëmarrës është edhe Marko Gjuriq, drejtor i ashtuquajturës “Zyra për Kosovë e Metohi” në Qeverinë e Serbisë.
“Njoftojmë opinionin publik se agjenda e publikuar për seminarin e Asamblesë së NATO-s që do të mbahet në Prishtinë, nuk është përpiluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës por nga Zyrtarët e Asamblesë së NATO-s”, thuhet nw reagimin e Kuvendit tw Kosovws.
“Në agjendë panelistit Marko Gjuriq i janë referuar si drejtor i “Zyrës për Kosovë dhe Metohi”. Kuvendi i Kosovës është duke adresuar këtë çështje me përpiluesit e kësaj agjende”, sqaron Kuvendi.
Agjenda e shpërndarë nga Kuvendi tek deputetët nxiti reagimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila e quajti si skandaloze faktin që sipas saj, “pranimi që Kuvendi i Kosovës, i bën zyrës për “Kosovë dhe Metohi”, pasi që në këtë axhendë thuhet se i njëjti do të përfaqësoj zyrën për “Kosovë dhe Metohi”.
“Nuk kam informacione se nga kush është përpiluar kjo, por për këtë skandal duhet të na jap përgjegjësi, Xhavit Haliti, i cili njëherit është edhe kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s,” ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.