
Në kohën kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar dhe deputetët nuk arrijnë të gjejnë konsensus, Zyra e Kryeministrit ka vendosur të investojë në komoditetin e saj. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka nënshkruar një kontratë të re për furnizim me 50 karrige për zyre, me vlerë afro 14 mijë euro. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, sot me datë 15 korrik 2025, ka nënshkruar kontratë për “Furnim me karrige për zyre- ritenderim”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 17, 500 euro.
Në këtë tender kanë garuar gjithsej pesë kompani. Fitues është shpallur operatori ekonomik “Galanteria SH.P.K”.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 13.750 euro.
Sipas detajeve në dosje, ZKM do të furnizohet me 50 karrige për zyre.
Ky furnizim vjen në një kohë kur Qeveria, e udhëhequr nga Albin Kurti, është kritikuar nga opozita për shpenzime të panevojshme. Ndërkohë, Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar për shumë çështje të rëndësishme.
Derisa, sot për të 47-ën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të obliguar të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit deri më 26 korrik më së largu.
Megjithatë, aktgjykimi s’e qartësoi se çfarë do të ndodhë nëse nuk konstituohet Kuvendi.
Derisa Vetëvendosje këmbëngul që emri i Albulena Haxhiut të hidhet në votim për kryeparlamentare përmes votimit të fshehtë, partitë tjera po e konsiderojnë kundërkushtetuese meqë në aktgjykim thuhet se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet sipas praktikave të deritanishme.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.