Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 14 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen pjesërisht tetë nga to, ndërkaq gjashtë janë refuzuar.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç janë Kapitulli II – Raportimi i së vërtetës,Kapitulli III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitulli IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitulli V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale, Kapitulli VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve dhe Kapitulli VII – Privatësia dhe mbrotjtja e burimeve.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Gafurr Dugollit, përfaqësuar nga avokati Kastriot Feka, kundër Nacionale.com dhe Radiokosovaelire.com për shkrimet “Tenderi i negociuar 2.1 milionë për ushqim: Gafurr Dugolli e nis punën me skandal në Ministri të Mbrojtjes”, përkatësisht “Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kërkon shkarkimin e sekretarit Gafurr Dugolli”, duke konstatuar se tek shkrimi i Nacionale.com është shkelur pjesërisht Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës që ka të bëjë me raportimin e të vërtetës, por nuk është shkelur Kapitulli IV që ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht Radiokosovaelire.com nuk ka respektuar asnjërin nga këta dy kapituj.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Kojshia i mirë s’ka të pagum” / Skandali i marrëveshjes pas aksionit të policisë, drejtori Shëndetësisë dhe pronari i “Avicena” del se i kanë bizneset private ngjitur (Pamje)”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk është shkelur Kapitulli II.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Keqpërdorim masiv nga Drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë, blen dhjetëra produkte identike me çmim deri 833% më shtrenjtë sesa Drejtoria e Arsimit”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të kodit, siç pretendon ankuesi.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Skandal: Drejtoria e Fahri Shabani blen sapunë me tender për QKMF me çmim 307% më të lartë se sa çmimi në market (Dokument)”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të kodit, siç pretendon ankuesi.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Zgjerohet skandali: Pas bastisjeve nga policia, zbulohet se ‘Avicena’ futi për 200 euro ndihmë në marrëveshje drejtorin e Shëndetësisë së Mitrovicës për t’u paraqitur si bamirës (Dokument)”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, por jo edhe me Kapitullin II, siç pretendon ankuesi.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Çmime të fryera në tender: Drejtoria e udhëhequr nga Fahri Shabani furnizohet me ‘Domestos’ për QKMF me çmim 146% deri 175,9 % më të lartë se sa çmimi në market (Foto/Dokument)”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të kodit, siç pretendon ankuesi.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Skandal: Drejtori i Shëndetësisë në Mitrovicë tenton ta përmirësojë imazhin e ‘Avicena KS’ që u bastis për falsifikime e veprimtari të kundërligjshme mjekësore, me marrëveshje i paraqet si bëmirës”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk është shkelur Kapitulli II i kodit, siç pretendon ankuesi.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Agbes Construction shpk, Arbotec shpk, Geo Construction shpk, Mineral llc dhe MB Group shpk kundër Insajderi.org për shkrimin “Ministria e Infrastrukturës vazhdon të ia ‘trashë’ xhepin oligarkëve të Fierit, ndan edhe 300 mijë euro për punë shtesë në rrugën Podujevë-Prishtinë”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërkaq nuk është shkelur kapitulli II i kodit, siç pretendon ankuesi.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Fahri Shabanit kundër Veriu.info për shkrimin “Skandal: Automjeti i Drejtorisë së Shëndetësisë ‘harrohet’ në parkingun e një restoranti në Vushtrri me muaj apo vite, ia hoqën edhe tabelat (Foto)”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II, IV dhe V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon ankuesi.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Adelina Kuqi-Fetiut kundër Gazetaexpress.com, Indeksonline.net dhe Insajderi.org për shkrimet “Mediat në Gjermani shkruajnë për skandalin e goditjes së sportistes 8vjeçe”, “Gjest skandaloz i trajnerit kosovar, i bie shuplakë vajzës së tij të mitur pasi e humbi garën ndaj një serbe – thotë se e bëri për ta qetësuar”, “Procedohet rasti në prokurori ndaj trajnerit që rrahu vajzën sportiste” dhe “Skena të turpshme: Goditet me shuplakë nga trajneri i Kosovës tetëvjeçarja kosovare që humbi kundër rivales serbe në taekwondo”, duke konstatuar se nuk bien ndesh me Kapitullin VI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Leutrim Sahitit, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës kundër Gazetaexpress.com për shkrimin “Për katër vjet, asnjë njohje, asnjë antarësim në organizata ndërkombëtare”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II dhe III të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon ankuesi.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Leutrim Sahitit, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës kundër Rtv21.tv për shkrimin “Qeveria Kurti
me notë të dobët në diplomaci! Për katër vjet, asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata
ndërkombëtare”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II dhe III të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon ankuesi.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Aida Zekës dhe familjes së Zan Zekës kundër Insajderi.org për shkrimin ”Gati një vit në arrati, arrestohet Zan Zeka – detaje nga dosja e shtetit kundër tij”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II, V dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendojnë ankuesit.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Aida Zekës dhe familjes së Zan Zekës kundër Sinjali.com për shkrimin ”Gati një vit në arrati, arrestohet Zan Zeka – detaje nga dosja e shtetit kundër tij”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II, V dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendojnë ankuesit.