
Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dy tenderë të negociuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen higjienike të objektit dhe mirëmbajtjes teknike të ndërtesës. Të parën në vlerë prej afro 75 mijë eurove, ndërkaq të dytën mbi 37 mijë euro. Për tenderin e parë ka pasur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ku njëri nga operatorët ekonomikë garues ka hedhur dyshime për firmën fituese.
Kuvendi i Kosovës, ndonëse duket se është larg konstituimit, duket se e ka fort për ngut mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të ndërtesës. Për këtë, ka ndarë dy tenderë në formë të negociuar, në vlerën e përgjithshme prej mbi 100 mijë eurove, raporton Insajderi.
Për tenderin “Shërbime mbështetëse në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës” konkretisht Lotin 1, Pastrimi dhe mirëmbajtja higjienike e ndërtesës, vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 125 mijë euro. Megjithatë, është ndarë me kriterin me çmimin më të ulët për 74,205 euro për “Internacional Group Base”.
Me të njëjtin kriter, Kuvendi i Kosovës e kanë dhënë si kontratë njëburimore edhe tenderin për mirëmbajtje teknike të ndërtesës me vlerë prej 37,404 euro. Kontrata iu është dhënë “Ejona” SH.P.K.
Gjithsesi, për tenderin për mirëmbajtje higjienike ka pasur ankesa në Gjykatën e Tenderëve. Aty janë hedhur dyshime për nënshkrime dhe fatura fiktive për operatorin ekonomik “Internacional Base SHPK”.
Operatori ekonomik i përjashtuar nga gara, “Schafberger Jr. GmbH”, pretendon se në listën e të punësuarve që e ka paraqitur “Internacional Base” nuk është nënshkruar nga individët e cekur në të.
“Gjithashtu, është befaseuse se kontrata e punës nga një OE tjetër dhe parakontrata e punës janë identike me njëra-tjetrën. Ky fakt kërkon një verifikim të detajuar, sepse mund të sugjerojë manipulim ose falsifikim të dokumenteve. Ne kërkojmë që këto kontrata të verifikohen nga autoritetet përkatëse dhe ne do t’i iniciojmë ato në organet tjera për verifikim të plotë”, thuhet në ankesën e deponuar në OSHP.
Për këtë, operatori ekonomik ankues ka kërkuar nga autoriteti kontraktues verifikim në Trustin Pensional të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
“Në përputhje me nenin 52.7 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës (i ndryshuar dhe plotësuar), Autoriteti Kontraktues ka të drejtë ligjore dhe është i detyruar të ndërmarrë verifikime shtesë për të vërtetuar saktësinë dhe vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura nga Operatorët Ekonomikë të rekomanduar për kontratë. Këto verifikime përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në, kontaktimin dhe konsultimin me burime të tjera të besueshme si: Trusti Pensional i Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Në rastin konkret, vlerësojmë se Autoriteti Kontraktues nuk e ka zbatuar këtë dispozitë ligjore, pasi nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të verifikuar dokumentacionin e dorëzuar nga Operator Ekonomik i rekomanduar, duke u mjaftuar vetëm me një deklaratë të nënshkruar nga vetë operatori. Kjo qasje përbën shmangie nga obligimi ligjor dhe mund të çojë në pranimin e dokumenteve jo të sakta apo të pavërteta, duke rrezikuar kështu parimin e trajtimit të barabartë dhe integritetin e procesit të prokurimit”, thuhet tutje në ankesë.
Po ashtu, “Schafberger Jr. GmbH” ka hedhur dyshime për një faturë fiktive të “Internacional Base SHPK” të prezantuar përgjatë procedurës tenderuese. Aty OE ankues ngre dyshimet për një blerje në vlerë të lartë brenda një dite.
Siç shihet në dokumentin që kanë bashkëngjitur OE ankues, del që OE fitues ka blerë makineri dhe material higjienik në vlerë prej afro 200 mijë eurove.
“…është faturuar si blerje brenda një dite, dhe jo në disa periudha ose gjatë disa viteve. Ne kerkojm nga AK nese një gjë verifikohet oferta e rekomanduar të trajtohet konform nenit 99 Funksionet dhe Kompetencat e OSHP paragrafi, në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare”, thuhet në ankesë.
Megjithatë, OE ankues thotë sërish se autoriteti kontraktues është mjaftuar me vetëm një konfirmim përmes emaili se fatura është e rregullt.
“Në kundërshtim të plotë me kompetencat dhe procedurat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Autoriteti Kontraktues, në vend që të kryente një verifikim të pavarur dhe të drejtpërdrejtë, ka komunikuar me Operatorin Ekonomik të rekomanduar për kontratë dhe i ka kërkuar atij një deklarim vetanak në lidhje me pretendimin tonë”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik ankues.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar kompaninë fituese “Internacional Group Base” për t’i komentuar këto pretendime, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Tenderët negociues janë vlerësuar si praktikë e gabuar dhe kanë lënë dyshime për korrupsion. Prokuroria Speciale ka hetuar disa raste të tenderëve negociues edhe nëpër ministri, por edhe në ndërmarrje publike përgjatë Qeverisë Kurti 2. /Insajderi.org/