Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të shefit të grupit parlamentar të PDK’së Abelard Tahiri, ka mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e Liman Musliut, ish-anëtarit të FSK’së përgjatë punës së tij të dytë në ndërtimtari.
Heshtja u respektua, teksa menjëherë fjalën mori Kurti. Ai u krenua se si është prezantuar herët buxheti i Kosovës, shkruan Insajderi.
“Buxhetin për vitin 2022 e kemi prezantuar me 25 nëntor 2021, buxhetin për vitin 2023 e kemi prezantuar më 17 nëntor 2022, bxuhetin për vitin 2024… dhe sot përsëri po e prezantojmë në muajin nëntor. Më i madh buxheti i shtetit secilin vit, aq më i hershëm prezantimi i buxhetit”, deklaroi Kurti.
Ai tha se buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë se në vitin paraprak. Sipas tij, për subvencione dhe transfere është 8.6 për qind më i lartë se në vitin paraprak.
Deri më tani, ende s’ka përmendur vdekjen e Musliut në vend të punës, e as përmirësimin e kushteve të ushtarëve të FSK’së në mënyrë që të evitohen angazhimet e dyta për mbulesë financiare. /Insajderi.org/