
Deputetët e betuar do të mblidhen sot në tentimin e 34-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Procesi ka ngelur tek zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Parlamentit, por bazuar në qëndrimet e partive politike nuk ka ndonjë sinjal për kapërcimin e kësaj situate.
Lëvizja Vetëvendosje, po insiston në propozimin e saj për këtë pozitë Albulena Haxhiun.
Në asnjërën nga tentimet e bëra, Haxhiu s’ka arritur t’i marrë 61 vota, shkruan Insajder.
Janë bërë tashmë më shumë se dy muaj nga seanca e parë konstituive e 15 prillit dhe deri më tani janë bërë 29 dështime të ministres në detyrë të Drejtësisë për t’u zgjedhur në postin kryesor të Parlamentit.
Për të tejkaluar krizën politike, shefja e shtetit Vjosa Osmani, pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me synimin që të sqarohen mundësitë ligjore për tejkalimin e situatës aktuale.
Ajo deri tash ka mbajtur deri tani dy takime konsultative me liderët e partive politike, fillimisht më 15 maj dhe së fundmi për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.
Osmani ka përsëritur gatishmërinë për të zhvilluar takime të veçanta me çdo lider politik që ka interes për të diskutuar rreth konstituimit të organit kryesor ligjvënës.