
Dështuar edhe vazhdimi i 31-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me mospajtimet si herët e kaluara rreth krijimit të një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, iniciativë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Qytetarët shprehën për Ekonomia Online, pakënaqësinë dhe zhgënjimin e thellë me klasën politike.
Qytetari Vesel Lajçi është i mendimit se përgjegjësia bie mbi ata që kanë më shumë pushtet dhe kërkoi zgjidhje të shpejtë dhe krizës t’i jepet fund.
“Më vjen keq për rënien në këtë nivel të gjuhës, duke ia nis prej të parit. Gjithmonë përgjegjësia është në mënyrë hierarkike. Ai që ka pushtet më shumë ka përgjegjësi më të madhe. Ata që kanë më pak, edhe ata kanë fuqi, edhe ata kanë përgjegjësi, por nuk e kanë barrën si i pari. Kërkoj prej tyre të bëjnë diçka dhe os ta lënë në një ankth shoqërinë kosovare, sepse me të vërtetë është e papranueshme për qytetarët.
Është bërë aq monotone sa nuk po ia vlen të japësh mendime. 99 për qind mendojnë kështu që ata duhet të bëjnë diçka se për atë i kemi votuar. Përndryshe, kur dalin herën tjetër, nuk votojmë, por e grisim fletëvotimin”, tha Lajçi.
Sejdi Murkoja konsideron se kjo zvarritje e konstituimit të Kuvendit po dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe po e tërheq Kosovën mbrapa.
“Mosformimi i qeverisë po e dëmton më së shumti popullatën, jo institucionet. Sjellja e deputetëve është jashtë çdo norme njerëzore. Pa marrë parasysh kush kandidohet për kryetar kuvendi, duhet të zgjidhet sa më shpejt, përndryshe Kosova po shkon mbrapa”, tha ai
Një qytetar tjetër, Nuredini, e krahasoi situatën e tanishme me vitin 1989, duke thënë se “nuk po dimë të mbajmnë shtet”.
“Është shumë keq. Po e kujtoj vitin 1989 serbët na thoshin: juve edhe me ju dhënë shtet, ju nuk dini ta mbani. Për atë jam shumë i brengosur dhe i inatosur se nuk po dimë të mbajmë shtet. Kush nuk është lodhur?! Ky është maltretim i popullit, i shtetit. Është bojkotim i shtetit”, tha ai.