
Një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje ka arritur të vjedhë një armë zyrtare brenda Stacionit Policor në Jug, dhe më pas është transportuar me armën në brez drejt Stacionit Policor në Veri, pa u vënë re.
Rasti ka ndodhur me 2 maj 2025 në Mitrovicë.
Gjatë kohës sa ndodhej në stacion, ai ka përfituar nga pakujdesia e zyrtarëve dhe ka marrë një revole Gllock me karikator dhe 15 fishekë, që ishte armë personale e një zyrtari policor.
Sinjali raporton se bëhet fjalë për Riad Tahirin, 25-vjeçar, i cili po intervistohej në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut për rastin e armëmbajtjes pa leje.
Me armën e vjedhur të fshehur në brez, Tahiri është transferuar në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut, pa u kontrolluar siç duhet. Vetëm pas mbërritjes në stacionin tjetër, gjatë kontrollit të plotë, arma është zbuluar në trupin e tij.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Vjedhje e rëndë”. I dyshuari është dërguar në mbajtje.