
Një 28 vjeçar është arrestuar nga policia si i dyshuar për marrje me Fajde në Prizren. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuar kalonte kamatën mbi 100 mijë euro nga viktima.
Gazeta Insajderi ka mësuar se i dyshuari është Ermal Krasniqi.
Në njoftimin për media thuhet se Krasniqi e ka detyruar viktimën t’i pagua kamatë mujore prej 100 mijë eurove duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
“I dyshuari E. K, mashkull, 28 vjeçar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, e ngarkon me kamata mujore viktimën, kamata të cilat e kalojnë shumën mbi 100000 (një qind mijë) euro”, thuhet në raport.
Gjatë operacionit policor është kontrolluar banesa e të dyshuarit në Prizren, është arrestuar i dyshuari si dhe janë sekuestruar prova që ndërlidhen me veprën penale.
Pas arrestimit i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar nga Sektorin Rajonal i Hetimeve -Prizren.