Ky është bilanci i 'tmerrshëm' i humbjeve të Rusisë në Ukrainë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Aktuale

    Ky është bilanci i ‘tmerrshëm’ i humbjeve të Rusisë në Ukrainë

    Insajderi
    02 April 2022 - 09:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kievi zyrtar njoftoi të premten se ushtria ruse ka humbur 17.700 trupa, 143 avionë, 131 helikopterë dhe 625 tanke në luftën që filloi më 24 shkurt 2022 ndaj Ukrainës, transmeton Insajderi.

    Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës deklaroi se 153 fëmijë kanë humbur jetën dhe 245 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë ruse në vend,

    “Nga bombardimet e ushtrisë ruse janë dëmtuar 859 institucione arsimore dhe 83 prej tyre janë shkatërruar plotësisht”, bëri me dije Prokuroria ukrainase.

    Përmes një njoftimi për media më herët, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës pati raportuar e ushtria ruse ka lëshuar gjithsej 1.370 raketa në drejtim të Ukrainës dhe në këto sulme kanë humbur jetën së paku 148 fëmijë; ndërkohë që më shumë se 10 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

    Rusia ka shkatërruar 15 aeroporte në Ukrainë. Pushtuesit ushtrojnë brutalitet çdo ditë. Ne nuk do ta falim këtë”, theksohet gjithashtu në komunikatën me shkrim të Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.

    Nga ana tjetër, Kompania Kombëtare e Gjenerimit të Energjisë Bërthamore të Ukrainës (Energoatom) bëri me dije se njësitë ushtarake ruse janë tërhequr nga Centrali Bërthamor i Çernobilit në Ukrainë.

    “Forcat pushtuese ruse janë larguar nga Centrali Bërthamor i Çernobilit. Nuk ka më të huaj në central”, deklaroi Energoatom-i.

    Po ashtu në këtë deklaratë thuhet se ushtria ruse është tërhequr nga qyteti Slavutiç në provincën e Kievit, kryeqytet i Ukrainës.

    “Gjatë tërheqjes nga centrali, forcat ruse morën me vete gjithashtu pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës që kishin kapur rob”, nënvizoi ajo.

    Centrali Bërthamor i Çernobilit u kap nga trupat ruse më 24 shkurt dhe pas kësaj date u raportua se sistemet e monitorimit bërthamor në këtë impiant kishin ndërprerë transmetimin e të dhënave për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA ose ANEA).

    Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, bëri me dije se rreth 1.500 civilë mbërritën gjatë 31 marsit në Zaporizhie, qytet në pjesën juglindore të Ukrainës.

    Iryna Vereshchuk dha informacione për procesin e evakuimit të civilëve nga vendbanimet ukrainase të përfshira në konflikt përmes një videoje të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

    Pasi njoftoi se 3 korridore humanitare funksionuan gjatë ditës së fundit të marsit, zv/kryeministrja ukrainase vijoi me këto fjalë: “Nëpërmjet këtyre korridoreve, 1.458 persona mbërritën në Zaporizhie me makina personale. Prej tyre, 631 erdhën nga Mariupoli dhe 827 nga qytetet Berdiansk, Melitopol, Enerhodar, Polohi, Orihov, Huliaipole dhe Vasilivka të provincës së Zaporizhies.”

    Vereshchuk tërhoqi vëmendjen se autobusët e dërguar për evakuim nuk u lejuan të hynin në qytetin e Berdianskut dhe se furnizimet mjekësore e ushqimore që kishin dërguar në Melitopol, u sekuestruan nga forcat ushtarake ruse.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës lajmëroi përmes një deklarate të shkruar se ushtria ruse nuk ka mundur ta bllokojë dhe pushtojë kryeqytetin Kiev të vendit për shkak të humbjeve të shumta.

    Në deklaratë theksohet se Moska po vazhdon të dërgojë përforcime për ushtrinë e saj luftarake në Ukrainë dhe për këtë ajo ka përfshirë në luftë edhe trupat e Zonës Ushtarake Jugore të Rusisë.

    “Rusia po përpiqet të formojë administratën e saj në rajonet përkohësisht të pushtuara të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhies dhe Hersonit”, sqaroi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës duke shtuar se ushtria ruse mund të intensifikojë sulmet në rajonet ukrainase jugore dhe lindore gjatë ditëve në vijim.

    Mes të tjerash, Shtabi theksoi se Forcat e Armatosura të Ukrainës çliruan nga pushtimi rus 11 vendbanime në Herson.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës publikoi edhe të dhënat për humbjet e ushtrisë ruse midis datave 24 shkurt – prill.

    Në deklaratën e ushtrisë ukrainase thuhet se janë vrarë 17.700 trupa të njësive ruse që sulmuan Ukrainën, si dhe janë asgjësuar 143 avionë, 131 helikopterë, 625 tanke, 1.751 automjete të blinduara, 316 armë të rënda zjarri, 96 sisteme raketahedhës dhe 54 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkisnin rusëve.

    Siç bënë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, forcat ruse kanë humbur në këtë luftë gjithashtu 1.220 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta, 76 autobote karburanti dhe 85 mjete ajrore pa pilotë.

    Kurse Bashkia e Iziumit raportoi se korridoret humanitare në qytet nuk janë hapur prej 20 ditësh dhe se rreth 20 mijë njerëz presin që të evakuohen.

    Një lajm shqetësues erdhi gjithashtu nga Ministria e Energjetikës së Ukrainës, e cila tha se energjia elektrike mungon në 1.339 vendbanime të vendit.

    “Përpjekjet për t’i furnizuar sërish me energji elektrike këto vendbanime po vazhdojnë. Më shumë se 71 mijë njerëz janë furnizuar sërish me energji elektrike në provincat e Harkovit, Mikolaivit, Zhitomirit, Zaporizhies dhe Hersonit, krahas Kievit, Donjeckut dhe Sumit.

    Në deklaratën e Ministrisë ukrainase të Energjetikës thuhet edhe se 338 mijë konsumatorë nuk mund të furnizohen me gaz natyror për momentin.

    ·         Rusia: Ukraina sulmoi rafinerinë në Belgorod

    Raportohet se helikopterë të ushtrisë ukrainase kanë sulmuar rafinerinë e naftës në qytetin Belgorod të Rusisë.

    Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha në një deklaratë me shkrim se një zjarr kishte ndodhur për shkak të shpërthimit në rafinerinë e naftës të qytetit.

    Zjarri ra si pasojë e sulmit të helikopterëve të ushtrisë ukrainase, të cilët kishin hyrë në Rusi duke fluturuar ulët,- u shpreh Gladkov ndërsa shtoi se nuk ka të vdekur apo të lënduar nga shpërthimi në rafineri.

    Në deklaratën e Ministrisë ruse të Emergjencave thuhet se civilët që banojnë pranë rafinerisë, e cila ndodhet 40 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën, janë evakuuar dhe vazhdon puna për shuarjen e zjarrit.

    Kurse Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se në operacionet e djeshme në Ukraine ishin shkatërruar 28 objekte të infrastrukturës ushtarake.

    Ushtria ruse ka shkatërruar gjashtë objekte të ushtrisë ukrainase, përfshirë depo municioni dhe karburanti, tha të premten Ministria ruse e Mbrojtjes.

    “Armët e lëshuara nga ajri me precizion të lartë shkatërruan gjashtë objekte ushtarake ukrainase, duke përfshirë pesë depo municionesh (për raketa, armë të lehta këmbësorie dhe artileri) në Boguslavsky, Krestishche, Reznikov, Velyka Novoselka dhe një depo karburanti dhe lubrifikanti”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Ruse, Igor Konashenkov.

    “Forcat ajrore ruse rrëzuan tetë mjete ajrore pa pilot të Ukrainës në ajër në vendbanimet Lysichansk, Donjeck, Çernigov, Korosun, Novomikhailovskoe dhe Vahovka”, shtoi Konashenkov në një konferencë të premten.

    Sipas tij, pranë fshatit Lyubimovka është rrëzuar gjithashtu një helikopter ukrainas tip “Mi-8”, kurse njësitë taktiko-ajrore kanë asgjësuar 52 objekte ushtarake të Ukrainës.

    “Në total, që nga fillimi i sulmit, janë shkatërruar: 124 avionë dhe 81 helikopterë, 353 mjete ajrore pa pilot (dronë), 1.839 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 202 raketahedhës shumëgrykësh, 773 obusë dhe mortaja si dhe 1.711 automjete ushtarake për qëllime të ndryshme”, tha Konashenkov.

    ·         Biden: Çmimi i naftës nuk duhet të varet nga shpallja e luftës nga ana e një diktatori

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bëri të ditur se “Buxhetet tona familjare, çmimet e naftës, asgjë nga këto nuk duhet të varen nga shpallja e luftës nga një diktator”.

    Joe Biden i bëri një vlerësim luftës Ukrainë-Rusi që shpërtheu më 24 shkurt gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

    “Çmimet e gazit shkaktohen nga dy probleme. I pari  është COVID-19 (lloji i ri i koronavirusit), i dyti është (Presidenti rus) Vladimir Putin”, bëri të ditur Biden.

    “Për të mirën e vendit tonë, për të mirën e botës, ne duhet t’i përgjigjemi urgjentisht Vladimir Putinit. Unë nuk shoh asnjë problem që kompanitë private të fitojnë, por asnjë kompani amerikane nuk duhet të përfitojë nga pandemia apo veprimet e Vladimir Putin“, deklaroi kreu i shtetit amerikan.

    “Sot lejoj lëshimin e 1 milion fuçi nafte në ditë për 6 muajt e ardhshëm”, bëri të ditur Biden.

    Ai theksoi se SHBA-ja ka nevojë për pavarësi energjetike “Kështu që nuk do të duhet të merren më me këtë problem”.

    Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet: “Shkalla e këtij versioni është e paprecedentë. Ky version rekord do të shërbejë si urë lidhëse deri në fund të vitit, kur prodhimi vendas do të rritet, duke siguruar një sasi historike të ofertës.”

    Sipas Administratës së Menaxhimit të Informacionit të Energjisë në SHBA, Amerika përdor mesatarisht 21 milionë fuçi naftë në ditë, ku benzina përbën rreth 40 për qind të këtij konsumi.

    Ndërkaq sipas Departamentit të Energjisë në SHBA që nga 25 marsi në rezervat e SHBA-së ka më shumë se 568 milionë fuçi naftë.

    ·         Gjermania dhe Franca refuzojnë kërkesën e Rusisë për pagesën e gazit në rubla

    Gjermania dhe Franca refuzuan kërkesën e Rusisë për pagesën e gazit natyror në rubla, duke e cilësuar atë një “shkelje të kontratave”.

    Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Robert Habeck dhe ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, i cili ndodhet në Gjermani, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Berlin.

    Robert Habeck theksoi se Gjermania është e gatshme për “të gjithë skenarët në lidhje me gazin rus, përfshirë edhe ndërprerjen e rrjedhave të gazit në Evropë”.

    Habeck tha se nuk do të pranojnë “shantazhin” e Presidentit rus Vladimir Putin për pagesa të gazit rus me rubla, ndërsa shtoi se pagesat do të bëhen në euro.

    Franca dhe Gjermania do të koordinohen në baza ditore, tha Habeck, duke argumentuar se “përpjekjet e Rusisë për të ndarë Evropën do të dështojnë”.

    Ai shtoi se boshllëqet në sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të mbyllen.

    Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, tha se Franca dhe Gjermania po përgatiten për një skenar të ndërprerjes së flukseve të gazit në Evropë nga Rusia dhe të dy vendet refuzuan kërkesën e Moskës.

    Le Maire raportoi se kontratat e gazit me Rusinë në euro do të vazhdojnë në euro.

    Vladimir Putin nënshkroi një dekret që të kalohet në rubla ruse për pagesat për shitjen e gazit në vendet jomiqësore.

    “Nëse nuk bëhet pagesa në rubla, kontratat e gazit rus do të ndërpriten”, ka thënë Putin./Insajderi/TRT/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark