Zbardhen detaje të reja nga aksioni i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Sarandë.
Gjatë aksionit, FNSH ka arrestuar 41-vjeçarin Romeo Laze, ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasin Barjam Çapoku, 26 vjeç.
Por, kush është i arrestuari?
41-vjeçari Romeo Laze rezulton i dënuar më parë për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”. Mësohet se ai është pronar i një lavazhoje, si dhe i garazhit, ku përpunohej kokaina e më pas shitej në Sarandë e Ksamil. Laze u arrestua duke shpërndarë sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në Sarandë.
Ndërkohë, vëllai i Romeo Lazes ka qenë i dënuar, para disa vitesh, për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”, në Sarandë.
Kujtojmë se brenda 3 muajsh Policia e Sarandës ka goditur 2 baza të shpërndarjes së kokainës dhe 3 baza të shpërndarjes së “cannabis sativa”. Veç shpërndarësve, policia ka arrestuar edhe shtetas të ndryshëm me sasi të vogla, të cilët kane rezultuar përdorues të lëndës narkotike.